VIDEO - Fëmijët po e braktisin shkollën
BKT
Lajme

VIDEO - Fëmijët po e braktisin shkollën

Venera Adili/ RTK

Teksa po flasim për fëmijët, pandemia, kushtet jo të mira ekonomike dhe largimi nga vendi janë ndër faktorët që po ndikojnë në jetën sociale e arsimore të fëmijëve. Për pasojë ende ka raste të fëmijëve që braktisin shkollën dhe të tjerë që kanë vështirësi në socializim. E drejtuesit e shkollave po kërkojnë mbështetje institucionale, për çka Ministria e Arsimit thotë se po angazhohet.

Disa nga bashkëmoshatarët e këtyre nxënësve të shkollës “Selman Riza”, në Fushë Kosovë, e kanë braktisur mësimin. Madje numri i tyre përbën dhjetëra sosh në vitet e fundit, e arsyet janë kushtet e rënda socio-ekonomike.

“Janë rreth 20 nxënës në vit që e kanë braktisur shkollën. Shumë prej tyre për shkak të kushteve ekonomike, e më së shumti janë nga komunitetet”, tha Esad Simnica, drejtor i Shkollës “Selman Riza”.

Këto probleme janë evidentuar edhe në raportet e Qendrës për Hulumtime Psikosociale dhe Mjekësore.

 “Të gjeturat e raportit flasin edhe për braktisje të shkollës si pasojë e pandemisë e cila ka ndikuar negativisht në mirëqenien e fëmijëve”, tha Shkurte Bajgora, QHPSM.

 Për këtë është kërkuar më shumë përkushtim institucional për angazhim edhe të stafit mbështetës e të psikologëve në shkolla, për çka ministria e arsimit ka plane për ta ndryshuar situatën.

 “Nuk mungojnë kushtet por duhet të bëhet më shumë në ngritjen e vetëdijes”, tha Esad Simnica, drejtor i Shkollës “Selman Riza”.

“Kemi ndarë buxhet subvencione edhe për organizata të shoqërisë civile që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sidomos me grupe të caktuara. Kjo është bërë në mënyrë që të ndryshohet situate pasi fëmijët pa fajin e tyre kanë pësuar”, tha Arbërie Nagavci, ministre e MASHT-it

Në anën tjetër, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore po e mban konferencën e pestë ndërkombëtare për shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Dhjetëra nxënës, kryesisht nga komunitetet, po e braktisin mësimin për shkak të kushteve të rënda socio-ekonomike.

 

 


MË SHUME NGA Lajme