Fëmijëve që bien ndesh me ligjin, t`u sigurohen të drejtat e barabarta
Donika Sherifi/RTK
E pikërisht sot, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar Qendrën Edukative Korrektuese në Lipjan. Nga atje, ministrja tha se kjo qendër kërkon angazhim institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si njëra ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan patën një vizitë, por jo nga familjarët.
Ata shkoi për t’i takuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u njoftua me disa nga të miturit që i vuajnë dënimet në këtë qendër. E për këtë u diskutua edhe në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Ministrja Haxhiu tha se kjo Qendër Edukative Korrektuese kërkon vëmendje të shtuar dhe angazhim institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si njëra ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
“Është obligim i yni që interesin e fëmijës që mund të jetë subjekt i një procedure gjyqësore ta trajtojmë në një mënyrë më të mirë të mundshme duke i siguruar mbrojtje dhe qasje në drejtësi përmes krijimit të mekanizmave ligjor . T'i mbrojmë fëmijët tanë dhe të kujdesemi që gjatë kohës që ata janë në institucionet korrektuese të marrin trajtimin në mënyrë të dinjitetshme”, deklaroi Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.
Kërkesa për respektimin e të drejtave të fëmijëve patën edhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
“Policia e Kosovës duke e ditur që kjo është kategori shumë e ndjeshme, gjatë trajtimit të rasteve me këtë kategori janë shumë të kujdesshëm që të kenë konsideratë fillimisht interesin më të mirë të fëmijëve, të drejtat e tyre, të drejtat në privatësi e gjëra të tjera”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti .
“Në gjykimet që i kemi ne në Gjykatën Themelore në Prishtinë kemi nevojë për një sallë, mendoj se është një nevojë që në të ardhmen do të mundësohet krijimi i një salle ku ne do të mund të zhvillonim gjykimet në një ambient më miqësor, ndërkaq sa i përket bazës ligjore mendoj që nuk kemi probleme që duhet theksuar”, tha përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës.
“Nuk kemi një situatë të mirë të gjendjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë, këtë e tregojnë edhe të dhënat, qoftë nga institucionet publike ose edhe organizatat joqeveritare, qofshin ato ndërkombëtare ose lokale, kemi një përqindje të lartë të fëmijëve të cilët jetojnë në varfëri, rreth 22% të fëmijëve jetojnë në varfëri, 7% prej tyre jetojnë në varfëri ekstreme”, deklaroi Donjeta Kelmendi, KOMF.
Në tryezë u tha se është e rëndësishme që fëmijëve, të cilët bien ndesh me ligjin dhe atyre që janë viktima, t'u sigurohet e drejta e barabartë me të gjithë qytetarët dhe me fëmijët e tjerë.























