Në mbrojtje të lumit Vjosa më 4 qershorit mbahet koncerti ‘Vjosa Forever’
Shqipe Gashi/RTKlive
Të shtunën e 4 qershorit do të zhvillohet në Shqipëri një festival muzikor i veçantë, koncerti ‘Vjosa Forever’ në Tepelenë.
Organizuar nga EcoAlbania, të cilët kanë qenë të rëndësishëm në luftën për mbrojtjen e Vjosës dhe përcaktimin e tërësisë së saj si Park Kombëtar, koncerti do të zhvillohet në sheshin ‘Lord Bajron’ në Tepelenë, në jug të vendit.
Koncerti fillon në orën 20:00 dhe zgjat deri në orën 22:00. Artistë në faturim janë me famë botërore Elina Duni, së bashku me Eugent Bushpepa, Vlashent Sata, Eda Zari, Shpat Deda, Asgjë Sikur Dielli, Florjan Binaj, Linda Rukaj, Grupi Tepelenës dhe DJ Cool.
Më datën 4 qershor Elina Duni së bashku me kitaristin nga Londra Rob Luft, do të përformojnë në festivalin ‘Vjosa Forever’. Këta të fundit kanë së bashku albumin ‘Lost Ships’ që u kushtohet të gjithë emigrantëve, si dhe këtë vit do të japin koncerte në vende të ndryshme të botës.
Elina Duni është një figurë e shquar e diasporës shqiptare, sukseset dhe talenti i së cilës ka bërë që ajo të jetë e respektuar në botën e artit. E lindur në Tiranë, ajo fillon të shfaqë pasionin për muzikën duke kënduar në festivale dhe televizione shqiptare qysh nga mosha 5 vjeçare.
Në moshën 11 vjeçare ajo vendoset në Gjenevë, ku nga aty me anë të studimeve fillon e krijon hapat e suksesit që e bëjnë atë të japë koncerte në mbarë botën. Ambasada RSH në Bernë ka prezantuar para publikut këngëtaren e njohur dhe në vitin 2014 i dorëzon titullin: Diplomë Nderi si Personaliteti i Shquar Frankofon për vitin 2014
Më e mira e krijimtarisë folklorike të Tepelenës dhe gjithë trevës së Labërisë do të jetë prezentë në koncertin ‘Vjosa Forever’. Grupi i Tepelenës do të sjelle nota autentike të polifonisë si një pasuri e çmuar botërore.























