Kryeinspektori i AKI-së pyetet nga Komisioni për ftesën nga Specialja
Donika Sherifi RTK
(E plotësuar) Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu ka thënë para mediave se inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani është pyetur rreth ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale.
Por ajo nuk ka dhënë detaje veçse ka theksuar se Ramadani i është përgjigjur ligjërisht ftesës dhe e ka përfunduar procesin intervistues.
Raportimi i Ramadanit është duke vazhduar për çka është thënë se ai po raporton për punën që përfshin periudhën nga korriku i vitit 2021.
Javë më parë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar fletëthirrje për dëshmitarë për Ramadanin.
Nga Ramadani është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna të tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.

Kryeinspektori i AKI-së raporton në Komision, pa praninë e mediave
Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, sot është duke raportuar para Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Ky komision ka vendosur që raportimi nga i pari i inspektoratit të AKI-së, të jetë më dyer të mbyllura për mediat.
Fillimisht u miratua procesdverbali i mbledhjes së kaluar të Komisionit, ndërkaq pastaj filloi raportimi i Ramadanit.
Kryetarja e këtij Komisioni, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, tha se nëse do të ketë ndonjë pyetje ose diçka sqarime shtesë ata do të flasin për media pas raportimit.

























