“The Handke Project” sonte në skenën e teatrit “Oda”
Kimete Kasumi/ RTKLive
Sonte në teatrin “Oda”, me fillim nga ora 20:00, jepet premiera e shfaqjes “The Handke Project”, realizuar nga Qendra “Multimedia” në bashkëpunim me “Mittelfest & Teatro della Pergola” (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Scene MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).
Për të folur për këtë shfaqje i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës i ftuar ishte Jeton Neziraj, dramaturg.
Neziraj tha se e kanë trajtuar temën e Handkes, duke dashur të bëjnë temë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon, Ballkanin dhe më gjerë pas diskutimit kur ai mori çmimin Nobel për letërsi.
“Temat si kjo për Handken dhe për qëndrimet e tij kontroverse janë tema që kanë njëfarë shtrirje më të gjerë dhe një rezonim te një publiku më të gjerë sesa në Kosovë, rajon, Ballkan. Diskutimi që është bërë kur ai e mori Nobelin ka qenë i gjerë pasi që ka prekur jo vetëm vendet e Ballkanit dhe ato gjermanofolëse, për faktin se ai është austriak, por u ngrit një debat i rëndësishëm rreth kufirit etik që një shkrimtar mund të kalojë”, tha Neziraj.
Sipas tij, shfaqja, përveç në Kosovë, do të jepet edhe në Shkup, Beograd, Itali, Gjermani.
Për këtë shfaqje ai tha se interesim kanë shprehur edhe disa teatro dhe festivale ndërkombëtare.
“Pas Prishtinës, sot dhe nesër, të hënën udhëtojmë për Shkup, pastaj kthehemi në Ferizaj. Më 9 dhe 10 qershor shkojmë Beograd, në korrik në Itali, në Gjermani (Dortmund), në nëntor në Mess. Para nëntorit kthehemi edhe një herë në Kosovë. Jam i sigurt se pas premierës do të ketë vëmendje mediale për këtë shfaqje”, shtoi ai.
Shfaqje nga Jeton Neziraj | Regjia Blerta Neziraj
Aktorë: Arben Bajraktaraj (FR), Ejla Bavćić (BiH), Adrian Morina (RKS), Klaus Martini (IT), Verona Koxha (RKS), Anja Drljević (MNE)
Dramaturge Biljana Srbljanović
Bashkëpunëtore artistike Alida Bremer
Skenografe Marija Kalabic | Kompozitor Gabriele Marangoni | Koreograf: Gjergj Prevazi | Kostumograf Blagoj Micevski | Dizajni i dritave Yann Perregaux | Dizajni I tingullit Leonardo Rubboli | Tempo Reale | Asistent i regjisë Sovran Nrecaj | Menaxhere e produksionit Aurela Kadriu | Asistente e produksionit Flaka Rrustemi























