Lavrov veç në Serbi, Scholz në Kosovë e rajon, RTKlive sjell agjendën
BKT
Foto: www.bundeskanzler.de
Lajme

Lavrov veç në Serbi, Scholz në Kosovë e rajon, RTKlive sjell agjendën

Jeton Musliu / RTKlive

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të vizitojë disa vende të rajonit të Ballkanit perëndimor, me 10 e 11 qershor. Me 10 qershor, ai do të vizitojë fillimisht Kosovën e më pas Serbinë, konfirmon për RTKlive., Zyra e Kancelarit të Gjermanisë

Vizita e tij në Beograd, do të ndodhë vetëm tri ditë pas asaj të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov.

Vizita e kryediplomatit rus në shtetin fqinj në datat 6 dhe 7 qershor, është konfirmuar nga Ministria  e Punëve të Rusisë.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në konferencë për media, tha se Lavrov do të jetë në Serbi nga 6 deri më 7 qershor.

Ajo tha është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq, kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

E në lidhje me këtë vizitë dhe ndikimin që ajo mund të ketë tek anulimi eventual i asaj të kancelarit të Gjermanisë, RTKlive ka pyetur Zyrën e  Kancelarit të Gjermanisë.

Kjo për faktin se Scholz planifikon të qëndrojë në Serbi, vetëm tri ditë pasi aty do të qëndrojë kryediplomati rus, ndaj vendit të të cilit, Gjermania dhe shtetet perëndimore kanë vënë sanksione për shkak të agresionit mbi Ukrainën.

Për më tepër, sanksione të tilla, nuk ka vënë  Serbia që mbetet i vetmi vend në rajon, që madje ditë më parë nënshkroi edhe  marrëveshje me Moskën, për furnizim me gazin rus.

Megjithatë, zëvendës zëdhënësi i qeverisë federale, Wolfgang Büchner, deklaroi për RTKlive se  krejt ajo cfarë mund të thotë tani për tani, është konfirmimi i vizitës dy ditore të kancelarit federal Scholz në disa vende të Ballkanit Perëndimor si dhe në Greqi dhe Bullgari.

Kështu, në përgjigje me shkrim për RTKlive, Büchner deklaron ndalesat e para të planifikuara më 10 qershor të kancelarit Scholz  janë Kosova dhe Serbia.

“Në Kosovë, ndër të tjera, do të ketë edhe një vizitë tek trupat gjermane të KFOR-it”, thotë Büchner për RTKlive.

Ai shpjegon se agjenda e kancelarit federal, parashikon  më pas udhëtimin e tij në Greqi, ku me ftesë të kryeministrit Mitsotakis, do të marrë pjesë në një darkë, ku të pranishëm janë edhe vendet e nismës rajonale në kuadër të “Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore -SEECP” në Selanik.

“Stacionet e mëtejshme të udhëtimit të kancelarit janë të nesërmen, më 11 qershor,  Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria”, thotë Büchner për RTKlive.

“Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva e BE-së e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi gjerman në përmirësimin rajonal, bashkëpunimin dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe”.

Büchner shpjegon se temë tjetër në të gjitha këto vizita e takime do të jetë edhe agresioni dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.

Kjo është vizita e parë e kancelarit gjerman në Ballkanin perëndimor prej që ai mori këtë detyrë në dhjetor të vitit të kaluar.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme