Vendimet e dëmshme gjyqësore, dëmtojnë imazhin e personit (Video)
Kaltrina Rexhepi/RTK
Në emisionin “Udhëve” u trajtua një nga temat më të ndieshme në fushën e sistemit të drejtësisë në Kosovë e që ka të bëjë me vendimet mbi paraburgimin në Kosovë.
Një rast i tillë që ka të bëjë pikërisht këtë çështje, është ai i ish-guvernatorit të BQK-së Hashim Rexhepi, i cili ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje parash.
Për të gjitha këto akuza, Rexhepi u privua me 172 ditë heqje lirie, duke u mbajtur në paraburgim.
“Është jashtëzakonisht e rëndë, sepse ka të bëjë me dinjiteti tënd, me integritetin tënd personal me atë gjendjen që krijohet. Unë në ata dy muaj isha krimineli ma i madh në Kosovë”, deklaroi Hashim Rexhepi ish-guvernator i BQK-së.
Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, njohësit e drejtësisë, paraburgimin e konsiderojnë si njërën nga shkeljet më të rënda të lirive themelore të të drejtave të njeriut. Sidomos kur rezulton se i akuzuari lirohet nga të gjitha akuzat për të cilat mbahej në paraburgim.
Kështu, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se masa e paraburgimi është njëra ndër masat që më së shumti aplikohet nga Gjykatat në Kosovë.
"Përkundër faktit që masa e paraburgimit është masa me e rëndë për pranin e personit në procedurë penale, prapëseprapë ne e shohim se është masa që më së shumti zbatohet për arsye se janë edhe një sërë masash të tjera që nuk aplikohen nga ana e prokurorëve dhe nga ana e gjyqtarëve", tha Shala.
Ndërsa avokati Artan Qerkini deklaroi se përveç që nuk zbatohet ligji në përpikëri, duke u aplikuar edhe masat më të lehta para asaj të paraburgimit, ai thotë se me një gjë të tillë po shkelen të drejtat themelore të njeriut.
Ai tha se përveç shkeljes së lirisë së lëvizjes, personave të tillë në masë të madhe i dëmtohet edhe imazhi.
Masë të rëndë, dhe të pa analizuar mirë paraburgimin nga ana e Gjykatësve në Kosovë e konsideron edhe kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës.
"Paraburgimi është masa e fundit për me e siguru prezencën e të pandehurit në procedurë , nuk është masë ndëshkuese është masë për sigurimin e të pandehurit në paraburgim", tha Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme.
Shkelje të drejtave të njeriut dhe vendim të pa shqyrtuar mirë masën e paraburgimit e konsideron edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
"Në Kosovë tek ne paraburgimi është duke u shfrytëzuar në masë të madhe..jemi në kohën kur duhet me e ndryshuar këtë qasje", tha Albert Zogaj Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për emisioni "Udhëve" në RTK.
Ish-guvernatori i Kosovës, Hashim Rexhepi, për të gjitha dëmet që i ishin shkaktuar për 4 muaj heqje lirie si dëmtimi i reputacionit të tij ka kërkuar dëmshpërblim në vlerë rreth 2 milion euro nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Vetëm në vitin 2019-2020 dhe 2021 në paraburgim kanë qëndruar 432 persona, të cilët, pastaj, janë liruar nga të gjitha akuzat.
Këta persona kanë kërkuar edhe dëmshpërblim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës në vlerë mbi një milion euro.
Vetëm në vitin 2019- buxhetit të Kosovës, vendimet e parishikuara mirë nga Gjykatësit për caktimin e paraburgimit, i kanë kushtuar 455 mijë euro. Në vitin 2020 këto vendime i kanë kushtuar 217 mijë e 884 euro. Dhe në vitin 2021, i kanë kushtuar 457 mijë e 501 euro.
" Kohët e fundit kemi praktikë edhe të rasteve që po vinë dhe tejkalon shumën që është vendosur, dhe kjo për buxhetin e Kosovës ka me qenë një barrë e madhe", tha Enver Peci për emisionin UDHËVE.























