Liderët politikë kosovarë urojnë Begajn
BKT
Lajme

Liderët politikë kosovarë urojnë Begajn

Fadil Sertolli/ RTKlive

Liderët e partive politike në Kosovë, urojnë Bajram Begajn me rastin e zgjedhjes si president i Shqipërisë.

Presidentja Osmani uron presidentin Begaj 

Pas zgjedhjes president i Shqipërisë, Bajram Begaj atë e ka uruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Osmani në urimin e saj tha se së bashku me Presidentin Begaj do t’i thellojnë raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se do të punojnë që t’i sjellin këto dy vende më afër BE-së.

“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, shkroi Presidentja në Facebook.

Kurti uron presidentin Begaj: Sfidat me të cilat përballet kombi lehtësohen kur punojmë bashkë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, Bajram Begaj për përgjegjësinë dhe detyrën e re, si dhe popullin e Shqipërisë për presidentin e tyre të ri.

Kurti ka shkruar në Facebook se sfidat me të cilat përballen republikat tonë dhe mbarë kombi lehtësohen atëherë dhe sa herë që punojmë bashkë.

“Andaj le të angazhohemi e bashkërendohemi drejt synimeve tona për mirëqenie e liri, drejtësi e siguri, zhvillim e progres, gjithnjë në orientimin tonë të palëkundur evropian, perëndimor e demokratik”, ka shkruar ai.

Memli Krasniqi uron presidentin e ri të Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke thënë se një Shqipëri me institucione të kompletuara dhe e fuqishme, i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit në rajon.

“Parlamenti i Shqipërisë ka zgjedhur sot President të ri të vendit, Bajram Begaj. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, i uroj detyrën e re presidentit Begaj dhe shumë suksese në punë. Një Shqipëri me institucione të kompletuara dhe e fuqishme, i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Urime Shqipëri”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku uron presidentin Begaj, shpreh vullnetin për bashkëpunim të ngushtë mes dy shteteve në rrugëtimin euro-atlantik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uron presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj, duke shprehur njëkohësisht vullnetin dhe dëshirën e fortë për bashkëpunim të ngushtë mes dy shteteve tona në rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik.

“Parlamenti i Shqipërisë sot ka zgjedhur për President doktorin dhe ushtarakun Bajram Begaj. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin Begaj në marrjen e detyrës së re. Shpreh njëkohësisht vullnetin dhe dëshirën tonë të fortë për bashkpëpunim të ngushtë mes dy shteteve tona në rrugëtimin e përbashkët euro-atlantik. Presidentit Begaj, i dëshiroj sukses në përfaqësimin dinjitoz dhe me nder të Shqipërisë në vend, rajon e në arenën ndërkombëtare.”

Haradinaj uron Begajn

Me rastin e zgjedhjes si president i Shqipërisë, Bajram Begajn e ka uruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

"I uroj shumë suksese në kryerjen e detyrave për Shqipërinë dhe shqiptarët", deklaroi Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme