Krasniqi kritikon qeverinë për trajtimin e veteranëve në protestën e sotme
Naser Mekolli /RTKlive.com
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me trajtimin e veteranëve në protestën e sotme dhe votimin pro Ligjit diskriminues për përcaktimin e pagës minimale.
Ai në një postimi në Facebookështë shprehur se pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga "veterani" i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë.
"Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t'i përjetonte. Kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativa ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë - kategorinë më meritore për lirinë tonë - si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm.", shkruan kreu i PDK-së.
Tutje, Krasniqi thekson se Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, Kosova është bërë shtet dhe ka krijuar institucionet, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre.
"Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve tanë në këtë mënyrë.", shkruan Krasniqi.
Tahiri, PDK: Qeveria po i trajton pa respekt veteranët e UÇK-së
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, përmes një konference për media ka thënë se është e papranueshme kjo qasje e mazhorancës, që përkundër kërkesave të shumta të opozitës, po e trajton në këtë formë, pa respekt e ndjeshmëri çështjen e përcaktimit të pagës miniale dhe veteranët e UÇK-së.
“Çështja e pagës minimale të mos trajtohet kështu siç është, duke lënë kështu anash veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, edhe sot e kësaj dite ende kemi një tendencë të tyre që pikërisht të shkohet duke i përjashtuar veteranët e UÇK-së. Prandaj, ne si PDK, do të përdorim çdo mjet demokratik që të mos lejojmë që ky ligj të miratohet. Ne duam të arrijmë në një konsensus së bashku me Ministrinë e Financave që ta trajtojmë çështjen e veteranëve të UÇK-së me dinjitet. Kjo është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë, që i ka dhënë më së shumti vendit, çlirimit dhe pavarësisë, prandaj, sot, të lihen anash në një formë të tillë, me ligjin për përcaktimin e pagës minimale është e papranueshme.”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, ai ka thënë se PDK do të përdorë çfarëdo mjeti i cili është demokratik për ta penguar këtë nismë ligjore.
“Për ne është e pabesueshme se si kemi ardhur në këtë diskutim të tillë, për të diskutuar për kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë tonë, veteranët e luftës, që sot ti lëmë anash ngat një ligj i cili përcakton pagën minimale dhe i diskriminon ata. Kjo është e papranueshme. Ky projektligj nuk duhet të kaloj as në leximin e parë as në leximin e dytë. “, ka thënë Tahiri, njofton zyra për informime e Kosovës.
Më tej, ai ka thënë se kjo Qeveri përmes qeverisjes së keqe ka shkaktuar krizë të thellë dhe të rrezikshme në të gjitha kategoritë e shoqërisë.
“Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një situatë të rrezikshme në mesin e popullit. Ju e shihni një pakënaqësi të madhe në të gjitha kategoritë e shoqërisë. Prej atyre që realisht janë me skema sociale, që janë të papunë, e deri te punëtorët e secilës kategori, në publik apo privat. Këtë situatë të rrezikshme me mosveprim e ka krijuar Qeveria e Kosovës. Prandaj, kjo krizë e ka vetëm një adresë – Qeverinë e Republikës së Kosovës.”, ka përfunduar Tahiri.
Qalaj, PDK: Të mos diskriminohen veteranët e luftës
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj në një konferencë për media ka thënë se Projektligji për përcaktimin e Pagës Minimale që është sot në rend dite në senacën e Kuvendit, është i papranueshëm për PDK-në, pasi është projektligj diskriminues.
Qalaj kërkoi që paga minimale të ngritet në 350 euro dhe të bëhet plotësim ndryshimi i Projektligjit për Pagën Minimale.
PDK, thotë ai, e konsideron të papranueshme lënien anash nga ky projektligj të disa kategorive shumë të ndjeshme siç janë të verbërit dhe njerëzit me sëmundje të paralizës, të cilët nuk ndihmohen pothuajse fare nga shteti, si dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Partia Demokratike e Kosovës kërkon që sot të mos votohet fare ky projektligj, të tërhiqet në Qeveri, pastaj të plotësohet me këto kategori. Po ashtu, kërkojmë që lartësia e pagës minimale të ngritet në 350 euro, sepse shuma prej 250 eurosh nuk mjafton as për gjërat elementare të shumicës së kategorive të cilat do të futen në këtë pagë minimale", tha Qalaj.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka bërë një propozim në mënyrë arbitrare pa u konsultuar fare me Këshillin Ekonomiko-social, i cili në bazë të Ligjit të Punës duhet të jap propozimin për pagën minimale në Kosovë.
"Qeveria duke u sjellë në mënyrë arrogante ka propozuar që paga minimale të jetë 250 euro, mirëpo ka përjashtuar shumë kategori të rëndësishme të vendit. Ju e dini që premtimet e kryeministrit të tashëm Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kanë qenë që paga minimale të jetë 350 dhe me këtë ka bërë kampanjën kudo dhe ka marrë mbështetjen gjerë të masave popullore. Ndërsa me anë të këtij projektligji propozon ngritjen e pagës minimale në 250 euro, pagë e cila nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e qytetarëve të Kosovës, duke pasur parasysh që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend me ngritjen enorme të çmimeve, sidomos të produkteve bazike që prekin direkt qytetarët e Kosovës", ka thënë Qalaj, njofton zyra opër informim e PDK-së.























