Xhafa: Prishtina do të ketë probleme me furnizim me ujë të pijshëm
BKT
Foto / RTK
Lajme

Xhafa: Prishtina do të ketë probleme me furnizim me ujë të pijshëm

Shqipe Gashi/RTKlive

Për shkak të temperaturave shumë të larta që kanë mbizotëruar këto ditë niveli i ujit në liqenin akumulues të Badovcit ka rënë ndjeshëm nën kuotën maksimale. Për këtë arsye pritet që një pjesë e Prishtinës të ketë problem me ujë të pijshëm gjatë verës.

Për t’u informuar se cila do të jetë gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm gjatë stinës së verës në lidhje të drejtpërdrejtë  në “Info Plus” ishte i ftuar Sokol Xhafa, drejtor ekzekutiv në KRU Prishtina.

“Gjendja aktuale me ujë të pijes është e mirë, për shkak se jemi duke e abstrahuar pjesën e reshjeve të fundit, pjesa e ditëve që shkoi kemi qenë dëshmitarë të gjithë, ka pasur temperatura të larta dhe, me këtë, rrjedhimisht, ka pasur edhe shfrytëzim jashtë mase të ujit. Disa pika të larta kanë ndierë mungesën e ujit qoftë si pasojë e keqpërdorimit ose edhe  si pasojë  e konsumit të madh dhe janë përballur gjatë fundjavës me mungesa të ujit. Mirëpo, nëse flasim në përgjithësi, mbi 95 për qind e konsumatorëve vazhdojnë të marrin ujë 24 orë pa ndërprerje, që do të thotë se kemi një furnizim stabil, me përjashtim të disa zonave rurale, për të cilat jemi obliguar, si pasojë e infrastrukturës ose e keqpërdorimit që, herë pas here të kemi reduktime të ujit”, tha Xhafa.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen me ujë të pijshëm në ditët e ardhshme gjatë verës, Xhafa theksoi se pjesa e verës ka filluar më herët këtë vit dhe gjatë dimrit që shkoi nuk është që ka pasur shumë reshje.

”Kjo e ka bërë edhe më të vështirë sidomos akumulimin e ujit në liqenin e Badovcit, ku aktualisht uji është 7,45 metra nën nivelin ku fillon kapërderdhja në liqe, që është një nga gjendjet më të këqijat që  kemi pasur këto 22 vitet pas luftës”, deklaroi ai.

Xhafa pati edhe një mesazh për qytetarët  që të kenë kujdes të shtuar me ujin e pijes.


MË SHUME NGA Lajme