AAK-ja kërkon heqjen e përkohshme të akcizës për naftën
Naser Mekolli /RTKlive.com
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik si dhe masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike.
Deputeti Pal Lekaj, në një konferencë për media, ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë dhe rritjes enorme të çmimeve. Sipas tij, kryeministri Kurti është në ekskursion dhe se ministrat e tij nuk po ndërmarrin masa në të mirë të qytetarëve.
“Reagimi i Qeverisë, në këtë kohë krize as që shihet. Kryeministri është ne ekskursion e ministrat e dikasterëve ekonomike janë të padukshëm. Madje për secilin propozim, iniciativë të opozitës, nuk ekziston as minimumi i vullnetit për diskutim, apo gjetje të alternativave të përbashkëta. Pra thjeshtë, ende janë në logjikën “Krejt dhe drejt”, ka thënë Lekaj.
"Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, ka thënë Lekaj.
Sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ekonomia e Kosovës është para kolapsit dhe për të ruajtur vitalitetin e zinxhirit ekonomik duhen masa urgjente.
“Masat urgjente duhet të përfshijnë së paku tri segmente. E para, përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore; E dyta, në përkrahjen qoftë direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik; dhe e treta, të sigurohet furnizimi apo kontratat për produktet bazike dhe kontrolli i tregut. Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, ka thënë Lekaj.























