Pas takimit Bislimi-Dendias, rikonfirmohet përkrahja e Greqisë
BKT
Lajme

Pas takimit Bislimi-Dendias, rikonfirmohet përkrahja e Greqisë

Emine Hoti/RTKlive

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim shefin e diplomacisë së Greqisë, Nikos Dendias me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut dhe integrimin e rajonit në familjen e madhe evropiane.

Kryediplomati grek theksoi se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi diplomatin grek për mbështetjen e vazhdueshme të vendi të tij ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai theksoi se rruga e duhur është ajo e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me mbështetjen e SHBA-së, ku Kosova mbetet e angazhuar në qasje konstruktive, përmes propozimeve dhe alternativave për të ecur drejt një marrëveshjeje finale dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

Osmani: Greqia ta formalizojë vendimin për njohjen e Kosovës

Naser Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për  anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin”, njofton zyra për informim e presidentes.

Bëhet e ditur se, presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.

“Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Me këtë rast, Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.

Gjithashtu bëhet e ditur se ndër të tjera, në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në  politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Bislimi pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë

Donika Sherifi/RTK

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

​Edhe nga ky takim, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

Më herët ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias e ka pritur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëmNuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Presidentja pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë

Donika Sherifi/RTK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Mediat po lejohen vetëm të marrin pamje në fillim të takimit.

Pas këtij takimi, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, pritet që në ora 15:50 të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ministri grek Dendias, për 3 vjet, 3 herë vizitë në Kosovë

Në Kosovë këtë pasdite, vjen për vizitë, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Ai do të pritet nga zyrtarët më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten e Republikës,  Vjosa Osmani.

Megjithatë, Prishtina tashmë nuk është kryeqytet i panjohur për kryediplomatin grek.

Ai ka ardhur disa herë në Kosovë dhe disa herë ka pritur në Athinë, zyrtarët e lartë shtetëror kosovarë.

Në fakt, Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.  

Megjithatë, qasja e saj karshi Kosovës ka qenë konstruktive, e sidomos përgjatë viteve të fundit.

Sidoqoftë, kontaktet  e Greqisë me Kosovën kanë shënuar rritje,  sidomos nga viti 2019, kur drejtimin e qeverisë e mori kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën filluan të shtohen nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili në këtë post u vendos në korrik të vitit 2019.

Vetëm pak më shumë se një vit pasi mori detyrën, me 9 tetor, Dendias mbërriti në Prishtinë, në vizitë zyrtare.

Në atë kohë, në takim  me kryeministrin Avdullah Hoti, Dendias kishte thënë se “Greqia është e përkushtuar  që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin euro-atlantik".

Gjithashtu, para dy vitesh, në takim me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, kjo e fundit ishte shprehur se homologu i saj grek, i kishte dhënë mbështetje Kosovës për liberalizimin e vizave, raporton RTKlive.

Vetëm tetë muaj më vonë, në qershorin e vitit 2021, Dendias kishte ardhur sërish për vizitë në Kosovë.

Ai ishte pritur nga presidentja Vjosa Osmani, kurse në konferencë me homologen e tij, ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri grek kishte thënë se vizita e tij, shërben për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.

Gërvalla kishte thënë se palët janë pajtuar që Zyra e Kosovës në Athinë, nga një zyrë me status të thjeshtë, të ngrihet në zyrë politike, ndërkohë që një zyrë e tillë greke ka vite që funksionon në Prishtinë.

Kontaktet mes Kosovës e Greqisë, nëpërmjet ministrit të jashtëm grek kanë vazhduar edhe më tej në forma të ndryshme, raporton RTKlive.

 Ai ka pasur takime me homologen e tij, Gërvalla si edhe me kryeministrin Albin Kurti edhe gjatë punimeve të samitit “Delfi” të mbajtur në Greqi.

Tani, vizita e sotme e ministrit Dendias në Kosovë është  e treta me radhë, që prej kohës kur ai mori detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, në korrik të vitit 2019.

Kjo do të thotë që mesatarisht për tri vjet, Dendias erdhi në Kosovë nga një herë brenda vitit.


MË SHUME NGA Lajme