Konjufca pritet nga homologu austriak, fjalim edhe në Institutin për Paqe
Hysni Demaku /RTK/ Vjenë
Kryeparlamentari Glauk Konjufca në kuadër të vizitës që është duke zhvilluar në Austri, është duke mbajtur një ligjëratë në Institutin për Paqe në Vjenë.
Në këtë ligjëratë Konjufca ka folur për situatën politike në Kosovë, sistemin e drejtësisë, luftimin e korrupsionit si dhe për të drejtat e komuniteteve në Kosovë.
Kryekuvendari ka folur edhe për agresionin rus mbi Ukrainën duke e krahasuar atë me krimet që forcat serbe kryen mbi popullatën shqiptare gjatë vitit 1998-99.
Konjufca në Vjenë takon homologun austriak, mban ligjëratë në punëtorinë për Demokraci 
(E plotësuar) Kryeparlamentari Glauk Konjufca në kuadër të vizitës që është duke e zhvilluar në Austri është takuar me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka.
Takimi është zhvilluar në pallatin Epstain.
Në takim ndërmjet kryeparlamentarëve është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve, pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, “Ballkanin e Hapur”, por edhe për liberalizimi e vizave.
Kryparlamentari Konjufca ka mbajtur një ligjëratë edhe në punëtorinë për Demokraci, para nxënësve të shkollave të mesme të Vjenës ku është diskutuar për demokracinë në Kosovë dhe Austri.
Konjufca nxënësit e qytetit të Vjenës i ka informuar për tranzicionin nëpër të cilin ka kaluar Kosova, por edhe për situatën politike në përgjithësi në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit aktualisht është duke zhvilluar takim me grupin parlamentar të miqësisë Austri- Kosovë.
Në këtë takim Konjufca ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Austria Kosovës.
Kryeparlamentari ka falënderuar shtetin austriak për mbështetjen që i kanë dhënë për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Konjufca sot në Vjenë do të takohet me kryeparlamentarin austriak
A.Bela / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka nisur një vizitë zyrtare disaditore në Austri.
Ai pritet të takohet sot me kryeparlamentarin austriak, Volfgang Sobotka.Takimi pritet të mbahet në Pallatin Epstein, në kryeqyterin e Austrisë, Vjenë.
Kryeparlamentari Konjufca do të mbajë një ligjëratë në Institutin për Paqe, në Vjenë, si dhe do të zhvillojë një takim me historianin Oliver Shmitt, i cili ka shkruar për çështjen shqiptare.
Po ashtu, është paraparë një takim me Shoqatën e Miqësisë Austri-Kosovë, me kryetarin e saj dhe me eurodeputetin Lukas Mandl, si dhe me bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje.
Gjatë qëndrimit në Austri kryeparlamentari Konjufca do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.
Ndryshe Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë në të gjitha fushat, përfshirë ekonomike.
Javë më parë në Prishtinë është mbajtur Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, i cili bashkoi shumë kompani nga Austria me kompani nga Kosova nga sektorë të ndryshëm, me qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë.























