Halimi: LDK do t’i kërkojë Qeverisë heqjen e akcizës së naftës
BKT
Foto: LDK
Lajme

Halimi: LDK do t’i kërkojë Qeverisë heqjen e akcizës së naftës

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një konference për medie ka shprehur shqetësimet për rritjen enorme të çmimeve të naftës. Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se krahas ngritjes së çmimeve në treg, Qeveria po e luan rolin e spektatorit dhe nuk po ndërmerr masa në të mirë të qytetarëve. Madje, ajo tha se LDK-ja, do të thërras debat parlamentar për këtë çështje, ku do të propozojnë heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e TVSH-së në produkte esenciale.

Sipas saj para 95-ditësh LDK-ja i ka propozuar Qeverisë reduktimin e TVSH-së dhe akcizën e naftës, por thotë se u injoruan.

“Jemi vendi më i varfër, me çmimet e naftës më të larta e dhjetëra produkteve bazike. Qeveria po e luan rolin e spektatorit, duke vëzhguar nga larg se si qytetarët po ballafaqohen e papërballueshmerisë së çmimeve. LDK-ja më 7 mars, 95 ditë më parë, propozoi reduktimin e TVSH-së dhe akcizës së naftës. U injoruam nga Qeveria, me arsyetimin se kjo krizë është në të gjithë Evropën. Por Qeveria jonë është e vetmja që nuk ka marrë asnjë masë për të stabilizuar çmimin”, ka thënë Halimi.

Në anën tjetër, Besian Mustafa, deputet i LDK-së ka kritikuar ashpër Qeverinë Kosovës, duke thënë se mosreagimin e saj ndaj rritjes së çmimeve në produkte bazike dhe atyre të derivateve, Qeveria po pasuron vetveten në kurriz të qytetarëve.

“Tanimë janë bërë disa muaj që qytetarët po përballen me rritje enorme të çmimeve. U kemi dhënë propozime konkrete për energjinë të cilat nuk u përfillen dhe krijuan kaos e katrahurë. Kemi kërkuar uljen e akcizës në derivate, ndërsa Qeveria nuk pati guxim të ndërmerrte asnjë veprim. Qeveria nga çmimet e larta po vjelë tatime”, tha Mustafa. Sipas tij, nëse për një periudhë të caktuar do të largoheshin TVSH-ja dhe akciza, nafta do të ishte 1.20 euro litri.

“Kjo qeveri po i merr 60 centë për çdo litër naftë. Teksa çmimet po rriten vazhdimisht, qeveria në bishtë të aeroplanit, nga salla në sallë duke ligjëruar mbi internacionalen socialiste. Qeveria po pasuron vetveten, duke varfëruar qytetarët”, tha Mustafa.

 


MË SHUME NGA Lajme