Kosova nënshkruan marrëveshje 40 milionë dollarëshe me OPEC
Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori gjeneral i OPEC, Abdulhamid Alkhalifa nënshkruan marrëveshje 40 milionë dollarësh, për financimin e politikave zhvillimore.
“Në kuadër të vizitës së tij të parë në Kosovë, Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar Dr. Abdulhamid Alkhalifa dhe ministri Hekuran Murati nënshkruan marrëveshjen e kredisë për programin “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, marrëveshje kjo që kap vlerën prej 40 milionë dollarë”, njofton zyra për informim e MFPT-së.
Bëhet e ditur se, marrëveshja në fjalë mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik. Marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.
Me këtë rast, ministri Murati ka thënë se reformat e mbështetura nga ky program riafirmojnë faktin se strategjia jonë është e ngritur mbi themele të qëndrueshme fiskale dhe është në funksion të zhvillimit afatgjatë, duke konfirumar edhe njëherë përkushtimin drejt realizimit të Programit Qeverisës.
“Në anën e tij, Drejtori Gjeneral i Fondit OPEC, Dr. Alkhalifa vlerësoi lartë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, si dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës”, njofton kjo ministri.
Gjithashtu bëhet e ditur se Murati shprehu mirënjohjen e tij ndaj Fondit OPEC për parneritetin e deritanishëm, dhe të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në projekte të tjera zhvillimore që janë në interes të qytetarëve të Kosovës.























