Kurti takon drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC
BKT
Foto/Kryeministria e Kosovës
Lajme

Kurti takon drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC

Emine Hoti/RTKlive

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar Abdulhamid Alkhalifa, me të cilin ka biseduar për reperkusionet ekonomike që po pësojnë vendet si pasojë e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Kurti theksoi masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë dhe për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë që po punojmë për reformat strukturale afatgjata, të nevojshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm, shtoi ai.

Ai u shpreh mirënjohës për angazhimin e përgjithshëm të OFID në Kosovë dhe në veçanti për përkrahjen në promovimin e reformave afatgjata dhe financimin e politikave për zhvillim edhe nëpërmjet një marrëveshjeje që u nënshkrua sot me Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës.

Marrëveshja mbështet prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OFID, Fuad Albassam dhe Fatma Elzahra Elshati, menaxhere e operacioneve të sektorit publik në OFID.

 


MË SHUME NGA Lajme