Dita që solli paqen
Afet Bela/ RTKlive
Departamenti i dokumentareve në RTK 1, sjellë filmin e radhës në 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Të shtunën në ora 22:10 në RTK 1, mund të ndiqni dokumentarin e gazetares Valdete Osmani dhe kameramanëve Besnik Hasolli e Driton Shabani si dhe regjisorit Ilir Kabashi.
“Dita që solli paqen”, pra 11 dhe 12 qershori përkon me përvjetorin e 23 të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe dhe hyrjen e forcave tokësore të NATOS në Kosovë pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s, mbi ish-Jugosllavinë e udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviq.
Dokumentari, përmbledh faktet të zhvillimeve nga fillimi i luftës, rrugëtimi dhe deportimi i qytetarëve të pafajshëm nga shtëpitë e tyre.
Fokusi kryesor është nga fillimi i bombardimeve te para mbi Jugosllavinë, deportimi i kosovarëve nga vendi e deri në rikthimit refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Në këtë dokumentar flasin qytetarë të cilëve lufta iu mori gjithçka, udhëheqës ushtarak të UÇK-së, artistë, regjisor, gazetar, fotoreporter etj.
Nëpërmjet protagonistëve të kohës, do të shfaqen pamje të cilat do të na rikthejnë në ditët tona më të vështira duke rikujtuar data dhe ngjarje të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës.
Si erdhi deri te tek kjo ditë, si u depërtuan shqiptarët nga shtëpitë e tyre në gjithë territorin e Kosovës, kush e solli NATO-n në Kosovë?
Si e kujton ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Agim Çeku kohën e luftës, cili ishte personi i parë që e takoi z.Çeku me të shkelur në Kosovë, cilat ishin momentet më të vështira për të?
A e ka përmbushur misionin ushtarak, gjeneral Çeku në luftën e Kosovës në vitin 1999? Sa të vështira ishin negociata me udhëheqësit e NATO-s?
Çfarë tensione dhe rreziku sollën hyrja e trupave ruse në Prishtinë pa pajtueshmërinë e NATO-s ?
Kush urdhëroi të sulmohen trupat ruse dhe të mos futën në aeroportin e Prishtinës, dhe kush e ndaloi një përplasje të mundshme NATO-Rusi?
Si shkoi procesi i demilitarizimit të UÇK-së? Si gjeneral Çeku këmbeu orët e dorës më një nga negociuesit e NATO-s dhe çfarë kuptimi ka ora e dorës së tij e cila e shoqëron tani e 23 vite.
Një rrëfim personal të jashtëzakonshëm sjellë Fahrie Hoti. Gruaja simbol i Krushës dhe gjithë Kosovës tregon se si e lëshoi fëmijën nga krahu duke mos e ditur nëse është i gjallë apo i vdekur. Sot në këtë përvjetor teksa ende është në kërkim të bashkëshortit të saj, çfarë do ti thoshte ajo babit të fëmijëve të munguar për 23 vite të çlirimit?
Cila është paqja që shihet në sytë dhe zemrën e saj dhe shumë familjeve që ende kërkojnë personat e tyre të dashur?
Nëpërmjet Ngadhjim Avdylit i cili në kohë luftë ishte fëmijë, do të mësoni për ndjesitë e mijëra fëmijëve kosovarë se si ishte lufta në sytë e tyre. Sa pasoja solli, si i rikujtojnë ditët e vështira dhe si jetojnë sot ata.
Në gjithë imazhin e eksodit dhe luftës së Kosovës si shiheshin fëmijët në sytë e aktores së dashur Melihate Qena. Aktorja Melihate Qena gjithë jetën ia kushtojë buzëqeshjes së fëmijëve por si ndihej ajo përball një luftë të pamëshirshme dhe si e kaloi gjithë luftën e shoqëruar me të vëllain Agimin në Prishtinë.
Pasojat që lufta la pas nuk ishin të pandjeshme qysh në ditët e para të çlirimit. Rikujtimi i tyre edhe sot nxjell dhimbje dhe traumë tek mijëra kosovarë.
Gjithë këto zhvillime u pasqyruan në mënyra të ndryshme por në një mënyrë të veçantë shtjellohet edhe në filmin e regjisorit Isa Qosja me titull ‘Kukumi’.
“Nëpërmjet filmit “Kukumi”, bashkë me shkrimtarin Mehmet Kraja u munduam të sillnim një liri të brishtë të Kosovës. Për kohën ai film i kritikuar, ndërsa në ditët e sotme “Kukumi”, shihet ndryshe nga kritikët”, thotë regjisori Qosja për RTK.
Këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza në këtë film nuk do të flas për këngët e shumta kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo në këtë 23 vjetor vjen me një rrëfim personal, se si ajo dhe familja e saj e përjetuan luftën dhe lirinë e Kosovës.
Rikthimi në shtëpi, ishte një gëzim i përzier bashkë më dhimbjen. Humbjet që kishte përjetuar dhe kujtimet sa herë rikthehet në Kosovë e bëjnë të shpërthej në vaj.
Fotografi Ridvan Slivova, flet për ata që i ka parë me syrin e aparatit të tij. Imazhet e shkrepura prej tij, veçmas ato të masakrave në kohë lufte i kishte fshehur dhe ruajtur nën dhe. Imazhet e filmave nën dhe panë dritën e zhvillimit me të ardhur dita e paqes. Por, ajo çfarë pa dhe përjetoi pas daljes nga izolimi për më shumë se tre muaj ishin ngjarjet më të vështira për tu dokumentuar si fotograf e veçmas kur ishte në pyetje historia e popullit të tij.























