RTK nënshkruan marrëveshje me JICA-n
BKT
Foto:RTK
Lajme

RTK nënshkruan marrëveshje me JICA-n

Valbona Thaçi/RTKlive

Radiotelevizioni i Kosovës, së bashku me JICA-n japoneze kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për fazën e dytë të projektit, e cila përfshin edhe hapjen e zyrës në Mitrovicë. Ndërkohë, të dielën do të hapet zyra në Prizren.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se JICA në vazhdimësi e ka ndihmuar RTK-në, ku shprehu mirënjohje për të.

“JICA ka ndihmuar në vazhdimësi Radio Televizionin e Kosovës në aspektin teknik poashtu edhe në atë profesional , prandaj ky projekt parashikon prapë po të njëjtën gjë, që të investohet në teknologji dhe po ashtu që të kemi trajnime për stafin e RTK-së në këto dy qendra rajonale, pra të cilat do ta sjellin  RTK-në më afër publikut dhe do të mundësojë transmetim të kronikave nga vendet e tyre përkatëse”, tha Ahmetxhekaj.

Kurse Masayoshi Takehera, nga JICA, tha se në këtë projekt janë tre komponentë: njëri është për zyret rajonale në Prizren dhe në Mitrovicë; i dyti është krijimi i kushteve të brendshme për programe të paanshme dhe i treti është krijimi i arkivit digjital.

“Këta komponentë do ta bëjnë RTK-në më të arritshme për publikun”, tha Takehera.

Ndërsa ambasadori i Japonisë, Keisuke Yamanaka, tha se ky takim ishte shumë i frytshëm, duke shfaqur shpresën për të ardhmen e RTK-së, që, sipas tij, janë mjaft ambiciozë, të përgatitur shumë mirë për punën që do ta bëjmë tash e tutje.

Japonia është ndër shtetet që ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e transmetuesit publik të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme