Kancelari Scholz e presidentja Osmani takohen në Greqi
Jeton Musliu/ RTKlive
Pas vizitës në Kosovë e Serbi dhe mesazhet e qarta, kancelari i Gjermanisë ka udhëtuar drejt Greqisë. Atje po mbahet Samiti i krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).
Në kuadër të këtij samiti, kancelari Scholz takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu e cila është pjesë e këtij organizimi, e ftuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Për takimin Scholz- Osmani, presidentja kosovare njoftoi edhe në llogarinë e saj në Facebook.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e kancelarit Scholz dhe miqësinë me Republikën Federale të Gjermanisë”, shkroi Osmani.
Në këtë samit, po marrin pjesë liderë të vendeve të rajonit si kryeministri Edi Rama, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel etj.
Madje ky i fundit, do të vizitojë Kosovën më 14 dhe 15 qershor.
Më 15 qershor do të qëndrojë në Maqedoni të Veriut, dhe më pas do ta vizitojë edhe Malin e Zi.

























