Kurti: Në Kuvendin e Prizrenit shqiptarët po kërkonin vetëvendosje
Shqipe Gashi/RTKlive
10 Qershori 1878 për ne, shqiptarët, është një datë e themelimit, jo më pak e rëndësishme se datat e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin që u mbajt në Prizren, për nder të 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Kryeministri Kurti theksoi se Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, që shqiptarët nuk i konsideronin si komb.
Tutje, kryeministri Kurti theksoi se Kuvendi nuk u mjaftua me masat ushtarake mbrojtëse, por shpalli se ai ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave, se shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre.
“Shqiptarët po kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, po kërkonin vetëvendosjen përpara se kjo fjalë të kthehej në të drejtën e parë universale të popujve”, tha kryeministri Kurti.
Ai nënvizoi se Kuvendi në Prizren dhe kuvendet e tjera të Lidhjes që u mbajtën në vijim dhanë mesazhin se shpëtimi nuk vjen nga jashtë. Nëse i var shpresat krejtësisht te shtetet e tjera, veten e konsideron objekt dhe nuk të mbetet tjetër veç t’iu përshtatesh interesave të të tjerëve.
Kryeministri foli edhe për krizën e rëndë me të cilën po përballet sot kontinenti i Evropës, shkaku i agresionit dhe invazionit të paprovokuar dhe të pa justifikuar në Ukrainë.
“Sot nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit. Nevojitet ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999, kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës”, tha, mes tjerash, kryeministri Kurti.























