Raportimi etik në situata konflikti, mediat të shmangin gjuhën e urrejtjes
BKT
Foto: Valjeta Shala
Lajme

Raportimi etik në situata konflikti, mediat të shmangin gjuhën e urrejtjes

KP

Çështja e raportimit etik në situata konflikti është trajtuar në konferencën e Lidershipit të Ballkanit me temë “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor” të drejtuar nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress dhe Asociacioni i Agjencive Ballkanike të Lajmeve në Evropën Juglindore (ABNA).

Drejtuesi i Federatës Universale të Paqes, Peter Zoeher tha se imazhi i mediave ka rënë në sytë e publikut dhe sipas tij duhet të punohet në mënyrë që të rikthehen mediat e sakta dhe të lira.

 “Në sytë e publikut, imazhi i mediave është në rënie 15 deri në 20 vitet e fundit, jo vetëm në rajonin perëndimor por edhe Evropën Perëndimore por edhe vet Amerikë. Për shembull në Austri, para disa vitesh kur kam filluar, kam qenë anëtar i Asociacionit dhe kam pasur nderin sa e herë e kam bartur emrin, tash e fsheh. Kjo tregon që imazhi ka ndryshuar apo është zbehur viteve të fundit. Imazhi ka ndryshuar apo është zbehur viteve të fundit, nuk mundemi ta fajësojmë askënd tjetër përveç vetës dhe vetëm ne nuk mund ta rikthejmë atë imazhin e mirë këtyre viteve të ardhshme, vetëm ne mund të sigurojmë që mediat të jenë të sakta, përgjegjëse dhe të lira prap. Është mandati i IMAP për t’iu ndihmuar dhe t’ju mbështesë në këtë përpjekje, duhet ta bëjmë këtë, të ndihmojmë në këtë përpjekje, jemi së bashku në këtë, t’i ndihmojë gazetarët për një botë paqësore dhe më të mirë”, tha ai.

Duke diskutuar për raportimin etik në situata konflikti, kryesuesi i Washingon Times, Tom McDevitt foli për sfidat e shumta me të cilat po përballen njerëzit në vitet e fundit dhe rolin që kanë gazetarët në këto ngjarje në të gjithë botën.

 “Kemi sfida shumë dimensionale kemi COVID-19 që ka sjellë shumë vuajtje në të gjithë botën, normat shoqërore janë prishur, janë dëmtuar, kemi edhe arsye të tjera për shkak se bota po zgjerohet me shumë probleme, dhe si i shohim ne këto probleme është jashtëzakonisht e rëndësishme, ne si gazetar është jetik të shohim ku është ai thelbi, cilët janë indikatorët të cilët çojnë drejt këtyre ndryshimeve, në veçanti nëse duam të raportojmë lajmin në mënyrë të saktë, të përgjegjshëm dhe të lirë dhe thirrjet e gazetarëve të mos jemi të shpenzueshëm”, tha ai.

Sipas tij, duhet të punohet në mënyrë që në Ballkan të krijohet një fenomen që do të kishte ndikim edhe në industrinë botërore të mediave.

Ndërsa, Skënder Krasniqi, president i Aleancës e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore tha se mediat duhet të shmangin nxitjen e konfliktit dhe t’i shërbejnë vetëm të vërtetës.

“Ne si media, si profesion dhe si mision, duhet të shmangim nxitjen e konfliktit, urrejtjes e armiqësisë, duke përdorur një gjuhë sa më neutrale, pra jo të ngarkuar emocionalisht, dhe mund t’i shërbejmë të vërtetës dhe të mos krijojmë të vërteta të tjera të hidhura. Detyra e jonë si media në një konflikt është mbulimi dhe raportimi i pavarur mbi ngjarjen me çka bëhet informimi i opinionit vendor dhe të huaj duke u rritur edhe transparenca mbi atë konflikt dhe opinioni të mos varet vetëm nga informatat zyrtare. Vrasja e gazetarëve është vrasje e së vërtetës çka fatkeqësisht edhe tani që po flasim ne është duke ndodhur jo shumë larg nga jemi ne. Në ketë drejtim dhe duke u përpjekur t’i kontribuojmë paqes e jo dhunës, ne kuadër te ABNA-s ku jemi 12 shtete nga Ballkani dhe Evropa Juglindore me përjashtim të Malit te Zi që shpresojmë të na bashkëngjitet, jemi duke punuar ne vazhdimësi, duke e rritur bashkëpunimin ndërmjet agjencive te lajmeve në mënyrë që lajmet nga vendet tona të vijnë nga dora e parë dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në zvogëlimin e mundësive të shtrembërimit të informacioneve nga akterët e tjerë”, tha Krasniqi.

Ai tha se janë duke punuar edhe në krijimin e një dhome ballkanike ku secila agjenci do të mund të jap kontributin e vet në këtë drejtim.

Ndërsa Predrag Vujoviç, president i agjencisë serbe P.R.A, tha se sfidë në Ballkanin Perëndimor mbetët edhe liria e mediave.

“Kur flasim për lirinë mediatike, kjo është një pyetje mjaft e vështirë në Ballkanin Perëndimor. Në Ballkanin Perëndimor, vendet këtu, nuk kanë shumë liri, nuk është rasti gjithkund i njëjtë por shumica e qeverive dhe partitë politike kanë tendencë të kenë kontroll të plotë mbi mediat, edhe pse kemi procese të ndryshme në ish-vendet e Jugosllavisë, për shembull shumë prej mediave shtetërore janë të privatizuar dhe partitë politike po i blejnë ato apo edhe sot njëfarë mënyre janë njerëz me pushtet që po i blejnë mediat, kjo po ndodh në Serbi apo edhe vende të tjera. Gjithashtu ka edhe ndikim më të madh të komercializmit që nuk po vjen vetëm prej partive politike por edhe korporatave”, tha ai.

Duke folur për dezinformatat dhe luftimin e tyre, udhëheqës i Universitetit UBT, Edmond Hajziri tha se brenda ditës gjenerohen mijëra të tilla nga vendet që synojnë destabilizim.

“Vetëm vitet e fundit konsiderohet se 90% e dijeve të reja janë gjeneruar në krejt historinë e njerëzit, vetëm në dy-tre vitet e fundit kemi 80 apo 90% të të dhënave që kemi mbledh gjatë historisë, nëse konfrontohemi me këto të dhëna e me këto dije e mediat janë përgjegjëse për të dhënë të vërtetën në relacion me përdoruesin dhe krijuesin e një ngjarje shihet që është kompleksitet dhe këtë kompleksitet duhet ta trajtojmë në mënyrë inovative dhe ne besojmë që kjo qasje inovative është kërkesë e kohës për ta mbrojtur etikën, të saktën në kohë reale dhe t’u përballemi dezinformacoineve, jo që janë të shumta, por çdo ditë e me tepër vijnë. Vetëm nga disa vende që pretendojnë destabilizim gjenerojnë me mijëra dezinformata brenda ditës për Unionin Evropian, Kosovën, për të tjerët, ky konfrontim me këto gjëra duhet të shtohet”, tha ai.

Profesori dhe gazetari nga Tirana, Lutfi Dervishi tha se gazetarët duhet të raportojnë vetëm të vërtetën, duke shtuar se besimi publik nuk është siç ka qenë përpara në raport me mediat.

“Duhet të jemi gazetarë profesionistë që të raportojmë të vërtetën, ta raportojmë të të vërtetën ku ju e zbuloni, dhe jo të vërtetën të cilën e tregojnë të tjerët, edhe një qytetar i thjeshtë në ditët e sotme mund të bëhet gazetar. Pajtohem që besimi publik nuk është siç ka qenë përpara në raport me mediat”, tha ai.

Konferenca organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Ëashington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

Mesiq: Kosova është realitet dhe duhet të njihet

(E plotësuar) Në konferenca e Lidershipit në Ballkan“ Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të Federatës Universale të Paqes, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq tha se Kosova e pavarur është realitet dhe si e tillë duhet të njihet.

Derisa ka folur në konferencën e Lidershipit në Ballkan“ Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, ai tha se shteteve të largëta që nuk dinë për Kosovën por nuk e njohin atë, duhet shpjeguar historia dhe pse ajo duhet të fitojë njohjen e plotë.

“Historia ka treguar qindra herë se luftërat nuk kanë fitues dhe paqa nuk ka humbës, prandaj besoj që të gjithë ju e ndani me mua një mesazh të tillë që të gjitha forcat që janë për paqen dhe marrë parasysh që janë provokuar me atë që kolegu Moisiu tha që ka ende të tillë që e kanë njohur Kosovën por e tërheqin njohjen, por ata të cilët nuk e kanë njohur Kosovën, ato janë ato shtete të cilat janë të largëta, që nuk e dinë as çka është Serbia, Kroacia, Kosova, ata duan Jugosllavinë, kujtojnë TITO-n, janë vende të largëta dhe prandaj këto politika të fuqishme imponojnë orientimin që dëmton të realizohet ajo që është reale. Kosova është realitet dhe Kosova duhet të njihet”, tha ai.

Ai tha se çështja e Evropës varet nga aftësia e Bashkimit Evropian për të imponuar paqe.

“Sot çështja e Evropës varet nga aftësia e Bashkimit Evropian për të iniciuar politikat për të imponuar paqen së bashku me OKB-në, nga kjo varet edhe stabiliteti në rajonin tonë, të cilin disa analistë e shohin si një zonë apo hapësirë ku mund të hapen konfliktet nga Ukraina. Unë nuk besoj në një zhvillim të tillë të ngjarjeve por ekziston një rrezik i caktuar marrë parasysh idetë gjeopolitike të liderëve të Republikës Serbe në Bosnje Hercegovinë për të ardhmen e Bosnjës”, tha ia.

 

Mesi: Mungesa e paqes dhe tolerancës nuk ndihmon

Ish-zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ka thënë se përmes tolerancës dhe paqes do të ketë edhe zhvillim ekonomik.

Në sesionin e parë të konferencës së Lidershipit në Ballkan me temën “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Prishtinë, ajo tha se krizat ekonomike dhe energjetike kanë ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë dhe mungesës se paqes.

“Mungesa e paqes dhe tolerancës nuk ndihmon, ajo çka ndihmon është partnershipi për të realizuar zhvillimin e qëndrueshëm. Por nëse kemi luftë, ajo shkon kundër asaj çka punojmë”, tha ajo.

Ish-zëvendëskryeministrja tha se pa tolerancën dhe paqen botërore është e vështirë të realizohen synimet e këtij mileniumi.

“Toleranca dhe paqja promovojnë zhvillimin ekonomik. Pa to është e vështirë të realizohen synimet e mileniumit... Duhet të flasim përherë e më tepër si të promovojmë paqe në mënyrë që të kemi zhvillim ekonomik”, tha ajo

 

Fasslabend: Austria do të punojë fuqishëm për njohjen e plotë të Kosovës

Në konferenca e Lidershipit në Ballkan“ Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të Federatës Universale të Paqes,president i Institutit Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, Werner Fasslabend, tha se Austria do të punojë fuqishëm që Kosova të jetë e njohur dhe pranuar nga të gjitha vendet.

Sipas tij, pas luftës në Ukrainë, eksitojnë mundësi të reja për Kosovën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se Kosova nuk duhet të humbas mundësitë por të tregohet e suksesshme në këtë rrugëtim.

Ish-ministri i Mbrojtjes në Austri, është shprehur optimist se Kosova do të bëhet pjesë e familjes evropiane për çka shtoi se vetëm në një Evropë të bashkuar do të ketë stabilitet dhe siguri.

“Ne do të punojmë fuqishëm për njohjen tuaj të plotë dhe do të mundohemi shumë dhe të bëjmë gjithçka në forcat tona sepse mendojmë që është jashtëzakonisht e nevojshme, dhe jam i sigurt që tani është një situatë tjetër, një mundësi tjetër, për të diskutuar për unitetin evropian, integrimin evropian që ka fillua në një formë tjetër për shkak të luftës në Ukrainë, nuk duhet ta humbasim këtë mundësi, procesi si proces do të jetë i vështirë por është një mendësi e re dhe duhet ti përshtatemi edhe hapave tanë që të bëjmë gjëra siç duhet që të jemi të suksesshëm. Unë jam optimist, natyrisht jo për nesër apo pasnesër, do të marrë kohë, por jam shumë i sigurt që do të vijë ajo ditë, ne jo vetëm që do të arrijmë të jemi të pranuar, pro do të arrijmë edhe Bashkimin Evropian dhe mendoj që ky është një hap botëror dhe duhet të luftojmë për këtë, sepse vetëm në një Evropë të bashkuar do të jemi stabile dhe të sigurt”, tha ai.

Ndërsa deri sa ka folur për historinë e Kosovës, ai tha se pasluftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje, ka qenë e qartë që pavarësia nuk do të arrihej vetëm në formën e butë.

“Pas luftës në Slloveni në Kroaci, në Bosnje, ka qenë e nevojshme të tregojmë situatën e Kosovës në një mënyrë më ndryshe dhe kjo zbutje specifike ka qenë diçka të cilën askush më mirë nuk do ta paraqiste që të mos dilte askush kundër saj. Ka qenë shumë e qartë s e vetëm në formë të butë nuk mund të merret pavarësia dhe liria, prandaj edhe periudha e UÇK-së doli në pah në historinë e Kosovës. Dhe tash jemi në fazën e tretë dhe faza e tretë do të nënkuptonte njohje, të jesh i pranuar, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën, si një partner i plotë dhe ligjor dhe kjo është një mundësi që ne e kemi tani”, tha ai.

Kjo konferencë organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP)

Kurti: Nuk duhet t’i harrojmë krimet e Serbisë, të vendoset drejtësia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë dhe duhet kërkuar drejtësi e kërkim falje.

Derisa ka folur në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, Kurti tha se duhet të bëhet pranimi i krimit në mënyrë që të arrihet pajtimi.

“Gjithçka do të kishte rrjedh tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se ëndrrat për paqe të qëndrueshme shihen aty ku janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës.

“Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacenueshme shihen atje kur janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës. Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeokonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh duhet se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme. Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, tha Kurti.

Konferenca ka bërë bashkë udhëheqës të shquar nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Kjo konferencë organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

Mbahet konferenca “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”

Valjeta Shala/ RTK

Federata Universale e Paqes mban sot konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”.

Konferenca bën bashkë udhëheqës të shquar nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Konferenca mbahet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Open photo


MË SHUME NGA Lajme