Bashkëpunimi Kosovë - Shqipëri i pamjaftueshëm
Pajtim Çuni/ Radio Kosova
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nuk po vlerësohet si i mjaftueshëm, përkundër progresit të tij që nga çlirimi i Kosovës. Historianë e promovues të idesë së bashkimit kombëtar, thonë se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve nuk është i kënaqshëm dhe se i njëjti duhet të jetë më i lartë në aspekt politik, ekonomik e kulturor.
Pas Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, të vitit 2012, e cila nuk u përdor nga të gjithë, nga shtatori i sivjetmë me Abetaren e re të përbashkët do të mësojnë nxënësit e klasave të para në të dy shtetet.
Kjo e arritur është rezultat i një mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të mbajtur nëntorin e vitit të kaluar. Megjithëkëtë, dhe përkundër arritjes së një varg marrëveshjes mes dy qeverive, niveli i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri vlerësohet se nuk është i kënaqshëm. Historiani Sabit Syla, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se bashkëpunimi mes dy shteteve duhet të jetë më i lartë.
“Në kohën në të cilën jetojmë, kur po bëhen 23 vjet nga çlirimi i Kosovës, personalisht nuk jam fare i kënaqur sa i përket bashkëpunimeve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Sot, përveç lëvizjes së lirë, e të tjerë, e të tjerë, mendoj se duhet të jetë një integrim më i madh në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore e arsimore, edhe për faktin se kemi mundësi që të jemi më të mirë në këtë drejtim. Pra, duhet bashkëpunim më i madh që të mos mbesin marrëveshjet vetëm në sirtar”, tha ai.
Përkundër që bashkëpunimi mes dy vendeve ka shënuar ngritje që nga çlirimi i Kosovës, ky është larg interesave të dy shteteve dhe kombit shqiptar, thotë kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati. Ai nuk është i kënaqur edhe me bashkëpunimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
“Bashkëpunimi nuk është i mjaftueshëm. Së paku në nivel të kryeministrave duket se nuk ka një koordinim dhe bashkëpunim të duhur, që fare nuk jep shije të mirë, por tregon një ftohje, ta them, të nivelit të bashkëpunimit. Për shembull, pas fillimit të luftës në Ukrainë, e kur kemi gjithë këto sfida që i ka Kosova dhe Shqipëria, sa i përket mundësisë së destabilizimit, dhe në raport me këtë situatë s’kemi pasur asnjë takim bilateral mes dy kryeministrave”, tha Murati për Radio Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, më 26 nëntor në Elbasan. Atje u nënshkruan 16 marrëveshje me të cilat synohet thellimi i bashkëpunimit në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, kulturës, drejtësisë, infrastrukturës e shkëmbimit tregtar. Këto marrëveshje dhe rreth 100 të tjera që janë arritur në 6 mbledhjet tjera të përbashkëta të dy qeverive, të mbajtura që nga janari i vitit 2014, sipas kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, kanë qenë të dobishme. Për më shumë bashkëpunim, Murati vlerëson se duhet krijuar mekanizma koordinues, të përbashkëta dhe të përhershme.























