Hysaj: Nga Izraeli humbëm për disa gabime taktike
BKT
Sport

Hysaj: Nga Izraeli humbëm për disa gabime taktike

Uran Krasniqi/RTKLive

Elseid Hysaj ka thënë se në ndeshjen me Izraelin janë bërë gabime taktike dhe kjo nuk duhet përsëritur sepse lojtarët shqiptarë luajnë në kampionate të mëdha.

Ai dhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Eduardo Reja kanë dalë këtë të diel në një konferencë për mediat në prag të ndeshjes miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Estonisë ditën e nesërme. 

Hysaj foli për ndeshjen e kaluar ndaj Izraelit dhe gabimet që sollën humbjen, ndërsa tregoi se skuadra është e qetë dhe po përqëndrohet për miqësoren me Estoninë. “Trajneri ka të drejtë, sepse duke rishikuar ndeshjen, kemi bërë edhe gabime taktike dhe kjo nuk duhet përsëritur sepse jemi lojtarë që luajmë në kampionate të mëdha, jemi profesionistë dhe duhet të kemi më shumë personalitet në fushë dhe ta dimë ku mund të ketë rrezik dhe ku mund të mos ketë", ka thënë Hysaj. "Ne ishim përgatitur që do kishim kundërsulme Izraeli, por ja që ndodhi përsëri dhe nuk ndihem shumë mirë. Ishte një ndeshje që e kishim ne në dorë dhe e humbëm për disa gabime taktike, nisur nga unë dhe gjithë skuadra. Uroj të përqëndrohemi dhe të jemi gati për ndeshjen tjetër".

Duke folur për miqësoren me Estoninë, Hysaj ka thënë se Reja do t'i provojë disa lojtarë. "Është pak e vështirë, por personalisht jam profesionist dhe kjo është puna ime. Duhet të jem gati për çdo ndeshje, për çdo moment që do trajneri që ne të jemi lojë. Jemi të qetë. Ka edhe disa prurje të reja në skuadër, që Reja do t’i provojë në këtë ndeshje dhe besoj se është gjë e mirë, pasi duhet të shohim edhe disa çuna të rinj që po stërviten dhe po ecin mirë", ka thënë mbrojtësi shqiptar.