Presidentja Osmani kërkon përkrahjen e Austrisë për Kosovën (E plotësuar)
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Presidentja Osmani kërkon përkrahjen e Austrisë për Kosovën (E plotësuar)

Jeton Musliu/ RTKlive

(Ora: 14:00) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg.

Në takim, Presidentja Osmani ka diskutuar me ministrin Schallenberg për angazhimin e Kosovës në rrugën evropiane të saj.

Presidentja ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, i takon BE-së që ta mbajë premtimin në raport me popullin e Kosovës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen austriake jo vetëm për këtë çështje, por edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Gjatë diskutimit për zhvillimet në raport me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, Presidentja Osmani ka deklaruar se qëndrimi i Kosovës është plotësisht në përputhje me BE-në, SHBA-të dhe të gjitha vendet demokratike.

Kurse për dialogun Kosovë-Serbi, Presidentja Osmani ka theksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Kosova është palë konstruktive në këtë proces dhe rendi kushtetues, sovraniteti dhe kufijtë aktualë janë të panegociueshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, në të cilën dy palët shprehën gatishmëri për thellimin e tyre, në fushën e politikës së jashtme, arsimit, shkëmbimit tregtar, si dhe fusha të tjera të interesit reciprok.

Schallenberg: Njohja Kosovë-Serbi, as nuk vihet në dyshim 

(Ora: 13:00) Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, dhe ministrja e Punëve të jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, mbajtën konferencë për media.

Ministrja Gërvalla deklaroi se Austria bën pjesë në rrethin më të ngushtë të miqve të Kosovës.

Duke rikujtuar lidhjen e ngushtë që kosovarët kanë me këtë shtet pasi një numër i madh i tyre punojnë në Austri, shefja e diplomacisë së Kosovë u shpreh se kjo lidhje është vënë në pah edhe në vizitën e fundit të kancelarit austriak në Kosovë, raporton RTKlive.

"Këtu duhet vlerësuar edhe kontributi i ministrit Schallenberg, për ngritjen e këtyre marrëdhënieve”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo rikujtoi se Kosova është pjesë e Procesit të Berlinit, proces ky për të cilin ritheksoi se ishte edhe në qëndrimin e shprehur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

"Në mesin e shteteve të BE-së, Austria meriton të veçohet si akter kryesor. Bashkëpunimi ynë është  shumë i ngushtë e me pozicione shumë të afërta”, tha Gërvalla.

Ajo tha se e ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e dhënë për antarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Austria e Kosova ndajnë qëndrimin se koha e të folurit rreth integrimit në BE, duhet zëvendësuar drejt integrimit të njëmend”, tha Gërvalla.

Sa  i përket dialogut Kosovë-Serbi, ministrja Gërvalla deklaroi se me homologun austriak folën edhe për këtë çështje, që sipas saj, duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Ministrja Gërvalla tha se angazhimi i ministrit Schallenberg meriton respekt të veçantë, raporton RTKlive.

Nga ana e tij, ministri Schallenberg tha se gëzohet shumë dhe përjeton ndenjë të mirë sa herë që është në Kosovë në kapacitete të ndryshme.

 “Vizita ime po bëhet në këtë kohë në rajon, jo pa qëllim që për Austrinë është shumë e rëndësishme”, tha ministri Schallenberg.

Ai rikujtoi se Vjena ka vërejtur lëvizje të Rusisë me qëllim të destabilizimit të këtij rajoni, prandaj sipas tij, kjo duhet të shërbejë si alarm për BE-në.

“Premtimin e hënë para 19 vitesh në Selanik,  ka ardhur koha që ta mbajmë. Pra të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe  Shqipërinë si dhe të liberalizohen vizat me Kosovën”, tha ministri Schallenberg, duke rikujtuar se ky vend është i vetmi ende që ka mbetur me regjim të vizave.

Megjithatë, ai tha se në Samitin e radhës të ministrave të jashtëm të BE-së, Austria do ta shtyjë përpara këtë çështje.

“Duhet kuptuar se zgjerimi i BE-së është vendim gjeostrategjik”.

Ai tha se Austria është e interesuar që reformat e nisura nga kjo qeveri, të vazhdojnë si luftimin korrupsionit dhe fusha të tjera.

“Kemi biseduar edhe për dialogun si nevojë. Ka elemente të rëndësishme si energjia, e fushat e tjera për të biseduar, por e natyrshme është që në fund të kemi njohjen e ndërsjellë dhe kjo nuk vihet fare në dyshim”.

Ministri Schallenberg e konfirmoi se Non-paper i lëshuar javë më parë që flet për situatën në Ballkanin perëndimor dhe përpjekjet për integrim është i Austrisë.

“Kemi parë në tërë rajonin zhgënjim e frustrim. Duhet të bie alarmi në këtë drejtim.  Ky dokument është qasja e Austrisë se si mund të jetësohet ky proces i anëtarësimit”.

Konferenca për media e ministrave Gërvalla dhe Schallenberg, pasoi takimin e këtij të fundit me presidenten Vjosa Osmani.

Ndërkohë, në orën 14:20 minuta, është parashikuar edhe një takim i tij me kryeministrin Albin Kurti.

Schallenberg  në takim me Gërvallën

(Ora:12:03) Ministri austriak i Punëve të Jashtme, ka përfunduar takimin me presidenten Vjosa Osmani.

Tanimë Schallenberg ndodhet në Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës.

Aty është pritur nga ministrja Donika Gërvalla e cila gjithashtu e priti atë në Aeroportin e Prishtinës.

Një konferencë për media e tyre është parashikuar të mbahet pas pak minutave.

Ndërkohë, tashmë është konfirmuar se ministrin austriak, në orën 14:20 do ta presë në takim edhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Osmani pret ministrin Schallenberg 

(Ora: 11:05) Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, ka  mbërritur sot në Prishtinë.

Tashmë ai ndodhet në presidencë, ku është pritur nga presidentja e republikës, Vjosa Osmani.

Takimi sapo ka filluar dhe adresim për media nuk është parashikuar, përveç lëshimit më vonë të një komunikate.

Schallenberg është pritur nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla,  në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Pas takimit që do të zhvillojnë, Schallenberg  dhe Gërvalla  do të mbajnë konferencë për gazetarë.

Megjithatë, konferenca, sipas njoftimit paraprak, ishte planifikuar të mbahet në orën 10:30, mirëpo për arsye teknike, ajo do të mbahet në orën 12:00.

Schallenberg sot në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, sot viziton Kosovën.

Ai do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtne , Donika Gërvalla-Schwarz.

"Temë e diskutimit do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, lufta dhe agresioni rus në Ukrainë si dhe impakti i kësaj lufte në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar për RTKlive, një ditë më parë, Gabriele Juen, zëdhënëse e Ministrisë së  Punëve të Jashtme të Austrisë.

Ajo theksoi gjithashtu se në agjendë janë edhe një takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë si dhe ushtarët e Austrisë, që shërbejnë në kontingjentin e KFOR-it.

“Temë e takimeve do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, lufta dhe agresioni rus në Ukrainë si dhe impakti i kësaj lufte në Ballkanin perëndimor”, tha Juen.

Javë më parë në Prishtinë u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, i cili bashkoi kompani nga Austria me kompani nga Kosova nga sektorë të ndryshëm, me qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme