Kuvendi zgjodhi 4 zëvendësit e Avokatit të Popullit (E plotësuar)
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Kuvendi zgjodhi 4 zëvendësit e Avokatit të Popullit (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive

(Ora: 15:45) Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan  për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit. Megjithatë, votat e nevojshme i fituan vetëm 4 nga 10 kandidatë sa ishin në garë.

76 deputetë kanë votuar në këtë proces kurse pesë nga votat ishin të pavlefshme për kandidatët e komunitetit shumicë.

Kështu, nga votimi rezulton se Kuvendi ka zgjedhur 4 zëvendës të Avokatit të Popullit dhe ata janë: Anita Çavdarbasha, Basri Kastrati,  Majlindë Sinani Lulaj dhe Niman Hajdari.

Në garë ishin edhe  Leutrim Syla,  Naile Alaj, Valbona Puka Gola dhe Vjollca Sopi.

Ndërsa nga radhët e komuniteteve, kandidate ishin Marija Radulovic dhe Rialda Kolenovic Ibrahimi, të cilat të dyja morën vetëm nga një votë kurse 72 fletëvotime për kandidatet e pakicave ishin të pavlefshme.

Për këtë arsye, konkursi për zgjedhjen e zëvendës të Avokatit të Popullit nga komunitetet joshumicë duhet të përsëritet.

Autoriteti i Konkurrencës tashmë ka bord të ri

(Ora: 14:20) Pas më shumë se një viti nga skadimi i mandatit të anëtarëve të bordit të Autoritetit të Konkurrencës, Kuvendi i Kosovës votoi anëtarët e rinj.

Prezantimin e emrave bëri kryeministri Albin Kurti i cili vlerësoi përgatitjen profesionale të të propozuarve kurse Besnik Tahiri nga AAK-ja në opozitë, tha se kjo qeveri është më e ngatha që ka pasur vendi.

Sipas tij, asaj iu deshën më shumë se një vit që t’i sjellë disa emra në Kuvend në mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës të funksionalizohet.

Ndërkohë, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se pajtohet se ka pasur vonesë në sjelljen e emrave për AKK, por  shpreh se ata janë kredibil e shumë profesional.

Ky bord do të përbëhet nga Neime Binaku-Isufi, kryetare, Kaltrina Sela, nënkryetare si dhe anëtarët Violeta Blakaj Spaçi, Besim  Stublla dhe Nafie Nosdautaj.

63 deputetë votuan pro këtij bordi, e 1 ishte abstenim.

Opozita nuk ka votuar pasi ka pasur vërejte për emrat në këtë bord.

Që nga 9 qershori 2021, Autoriteti i Konkurencës ishte jo funksional.

Autoriteti i Konkurrencës është institucion i pavarur i cili ndër të tjera, merrte edhe me ndëshkimin e kompanive që kurdisin çmime.

Kuvendi voton në parim Projektligjin për pagën minimale

(Ora: 13:55) Kuvendi i Kosovës votoi në parim, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për këtë projektligj votuan 68 deputetë, asnjë kundër dhe 6 abstenime.

Në lidhje me këtë temë, debat nuk u lejua nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai tha se debati për këtë cështje tashmë ka përfunduar.

Sidoqoftë, Besnik Tahiri,  deputet i AAK-së,  mori fjalën para votimit, duke propozuar  heqjen e tij nga rendi i ditës dhe që projektligji të kthehet prapë në Qeveri.

“Ky ligj të tërhiqet nga ministri Murati dhe të ulemi e të diskutojmë. Është kërkesë legjitime që është minimale në raport me krejt çështjet që i kemi ngritur, s’ka të bëjë me pozicion opozitar as politik. Po e largojmë, propozimi im është ky, nëse pajtohemi. Nëse e miratojmë këtë bëjmë një gabim shumë të madh”, tha Tahiri.

Megjithatë, kjo nuk u pranua dhe nën thirrjet “marre” të disa deputetëve të opozitës, ky projektligj u miratua në parim.

Ndërkohë, PDK ka bojkotuar këtë seancë duke e cilësuar si të turpshme mospërfshirjen e veteranëve të luftës në këtë projektligj.

Me projektligj, parashihet që paga minimale të rritet në 264 euro bruto.

Kuvendi mblidhet sot, në rend dite pika që po e kundërshtojnë OVL e UÇK-së

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për të diskutuar për pikat që të cilat kanë mbetur nga seancat e kaluara.

Ndërsa, seance e Kuvendit të Kosovës do të fillojë nga ora 13:00, në mesin e pikave që do të diskutohet në rend të ditës është edhe votimi për ligjin I cili përcakton pagën minimale.

Kjo pikë ka shqetësuar Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, e cila po e kundërshton fuqishëm duke thënë që nuk janë përfshirë si OVL e UÇK-së në këtë ligj.

Po ashtu edhe opozita në vend po e kundërshton një gjë të tillë, duke kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës kjo pikë.

 


MË SHUME NGA Lajme