Flasin juristët-A duhet që Avokati i Popullit t`i ketë 5 zëvendës?
Jeton Musliu / RTKlive
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, po votojnë për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit. Megjithatë, për dikë mund të jetë e çuditshme se si ka mundësi që Avokati i Popullit të ketë 5 zëvendës!
Pra, a duhet që Avokati i Popullit duhet t’i ketë gjithë këta zëvendës?
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur avokati Arlind Fetahu, i cili beson se fillimisht, duhet kuptuar nga publiku laik, se roli dhe funksioni i institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ushtrohet nga Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij, pesë sa janë aktualisht, është shumë i rëndësishëm në një shoqëri demokratike.
Kjo, sipas Fetahut, për shkak të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore në kuptim të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së të drejtave të individëve kur ato cenohen apo shkelen nga institucionet tjera shtetërore gjatë ushtrimit të veprimtarive të tyre.
“Kushtetuta e Kosovës çështjen e zëvendësve të Avokatit të Popullit ia lë Ligjit për Avokatin e Popullit që ta rregullojë, neni 5 i këtij ligji, ka paraparë që Avokati i Popullit të ketë pesë (5) zëvendës”, thotë avokati Fetahu.
Ai tregon se sikurse shumë ligje tjera edhe ky ligj është ligj i marrë nga shtetet më të zhvilluara dhe me demokraci të etabluar dhe nuk është produkt i Kosovës që rrjedh nga nevojat e shoqërisë së këtushme.
“Në këtë kuptim, numri kaq i madh i zëvendësve është sa i panevojshëm aq edhe i dëmshëm në aspektin funksional e monetar”.
Sigurisht, ai sqaron se ky nen është formuluar edhe në frymën e përfshirjes së komuniteteve joshumicë në Kosovë edhe për shkak të obligimit që rrjedh nga paragrafi 2, i nenit 133 të Kushtetutës së Kosovës.
“Ndonëse ka vend për avancim, vendi ynë nuk njihet si shtet ku haptazi shkelen të drejtat e njeriut nga autoritetet publike dhe në përgjithësi, ligjet tona – së paku në letër – ofrojnë mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të komuniteteve joshumicë”.
Sipas avokatit Fetahu, në një vend me rreth dy milionë banorë, nuk e ka nevojën e as luksin, që t’i ketë pesë (5) zëvendës, për të cilët asnjëherë nuk dëgjon kush se ka ndonjë rol aktiv në ngritjen e zërit për respektimin e të drejtave të individëve në raport me autoritetet publike.
“Avokati i popullit dhe zëvendësit zgjidhen përmes Kuvendit të Kosovës me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, që praktikisht i bie se zgjidhet nga partia apo koalicioni qeverisës në pushtet. Andaj, kjo ngrit shumë pikëpyetje nëse Avokati apo zëvendësit e tij do të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues e ligjor kur autoritetet publike me të cilat udhëheq pikërisht ajo parti/koalicion, do t’i cenojnë të drejtat dhe liritë e individëve me veprimet e tyre të paligjshme”, thotë Fetahu për RTKlive.
Përfundimisht avokati kosovar vlerëson se duhet plotësuar/ndryshuar Ligjin për Avokatin e Popullit ashtu që të ulet numri i zëvendësve të tij në maksimum dy, ndërkaq përmes akteve të brendshme të rregullohet funksionimi i këtij institucioni në mënyrë që nga ta dhe stafi i tyre, të mbulohen gjitha fushat e nevojshme për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, gjithnjë duke mësuar edhe nga praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë një opinion tjetër. “Duke pas parasysh se Avokati Popullit është institucion i cili ka mandatin që të shqyrtojë çdo shkelje eventuale të të drejtave të njeriut apo abuzim të pushtetit nga ana e institucioneve publike në Kosovë, edhe në këtë frymë janë hartuar dispozitat Kushtetuese sa i përket numrit të zëvendës avokatëve të këtij institucioni”, thotë Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ai tregon se Kushtetuta, në kapitullin e XII përmend institucionet e pavarura, rolin dhe kompetencat e tyre, ku ndër të tjera ka përcaktuar edhe rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit.
“Në nenin 133 të Kushtetutës Avokati i Popullit ka një ose më shumë zëvendës dhe se numri, mënyra e përzgjedhjes dhe mandati i tyre, rregullohen me ligjin për Avokatin e Popullit”, thotë Makshana për RTKlive.

Ndërsa,ai sqaron se me nenin 5 të Ligjit për Avokatin e Popullit është përcaktuar përbërja e këtij Institucioni, ku sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, Avokati i Popullit përbëhet nga pesë zëvendës, njëri nga këta caktohet si zëvendës kryesor i Avokatit të Popullit.
“Kushtetuta nuk e zbeh rolin vendimmarrës të Avokatit të Popullit, por duke pas parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e fushës së të drejtave dhe lirive të njeriut, krejt çka kërkohet nga Kushtetuta dhe Ligji është që Avokati i Popullit të asistohet nga zëvendësit e tij”.
Makshana tregon se ka disa shtete të cilët kanë numër të madh zëvendës Avokat të Popullit, e ndër to është Franca dhe Greqia.
“Në Francë janë tre zëvendës të cilët janë të caktuar në fusha të ndryshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut si: mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve, etikën e sigurisë, luftimin e diskriminimit dhe promovimin e barazisë si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve në marrëdhëniet e tyre me autoritetet publike”, thotë ai.
Gjithashtu, Greqia sipas tij, ka gjashtë zëvendës të Avokatit të Popullit. “Shtet tjetër i cili ka pesë zëvendës Avokat të Popullit janë edhe Filipinet ku të njëjtit janë të caktuar në fusha të ndryshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga 10 kandidatë, votuan zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit, të cilët do të kenë mandat 3 vjeçar.
Në mesin e 10 kandidatëve ishin Anita Çavdarbasha, Basri Kastrati, Leutrim Syla, Majlindë Sinani Lulaj, Naile Alaj, Niman Hajdari, Valbona Puka Gola dhe Vjollca Sopi. Ndërsa nga radhët e komuniteteve janë: Marija Radulovic dhe Rialda Kolenovic Ibrahimi.
Shpallja e konkursit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, është shpallur në fillim të vitit, përkatësisht me 2 shkurt dhe ka skaduar me 16 shkurt 2022, raporton RTKlive.
Avokati i Popullit zhvillon hetime, jep rekomandime, publikon raporte, si dhe avokon për të drejtat dhe liritë e njeriut, kurse pesë zëvendësit, janë të ndarë në departamente të ndryshme dhe trajtojnë tema në fushëveprimin e caktuar.























