I gjithë debati për “Sunny Hill Festival”
Foto: Dua Lipa/ FB
Kulturë

I gjithë debati për “Sunny Hill Festival”

Shqipe Gashi/RTKlive

Në këtë rubrikë janë përmbledhur të gjitha reagimet pro dhe kundër, pas lajmit se festivali “Sunny Hill”, në vend të Prishtinës, do të mbahet në Tiranë dhe kjo sipas themeluesve të tij, shkaku i burokracisë në ndarjen e parcelës për të.

Pacolli: Jam shumë i zhgënjyer

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili është edhe deputet, ka thënë se është i zhgënjyer me dështimin për organizimin e Sunny Hill në Prishtinë.

Ai shtoi se ka qenë i përfshirë në organizimin e këtij festivali.

“Jam shumë i hidhëruar dhe i zhgënjyer nga dështimi i organizimit të festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë. Kemi humbur rastin e një festivali me renome botëror e cila do ta vendoste përsëri Kosovën në hartën botërore. Muajit e fundit kam qenë personalisht i involvuar me hapat që janë marrë për të organizuar këtë event, dhe është një dështim i madh nga ana e shtetit tonë”, tha ai.

“Ajo që ka ndodhur sot (për mua është një “Déjà vu”), në të vërtetë nuk duhej të ndodhte. Kosova e meritonte Dua Lipën dhe gjithë atë repertor të këngëtarëve ndërkombëtar dhe vendas që do të performonin në këtë festival dhe Dua Lipa nuk e meritonte të privohej nga performanca në vendlindjen e saj. Si është e mundur që Tirana heq çdo barikadë dhe shfrytëzon këtë event e Kosova e hudh?”, shtoi Pacolli.

Ministri Çeku deklaron se kishte presione për vendim të shpejtë

Pas zhvendosjes së festivalit Sunny Hill në Tiranë, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar duke thënë se kanë pasur presion dhe se iu kërkua vendim i shpejtë.

Ai përmes një shkrimi në Facebook tha se as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër nuk ka të drejtë ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat dhe kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë.

“Kosova është dhe do të mbetet vend i organizimit të ngjarjeve rinore e argëtuese, të përmasave të vogla e të mëdha. Me ndihmën e qytetarëve, artistëve, bizneseve dhe shtetit. Ministria e Kulturës ka qenë në komunikim me bartësit e Sunny Hill për të ofruar gjithë mbështetjen për mbarëvajtjen e edicionit të sivjetmë të festivalit. Para ca kohësh, edhe personalisht e kam kontaktuar Dukagjin Lipën me qëllimin e mirë që Ministria e Kulturës të shërbejë si pikë komunikimi për një mori kërkesash të tyre, nga siguria e infrastruktura deri tek mbështetja financiare e lehtësirat tatimore, çështje të cilat prekin disa ministri. Një grup i përbërë nga zyrtarët e disa ministrive ka qenë duke i trajtuar këto kërkesa për të siguruar mbështetje për festivalin nga disa aspekte”, ka shkruar ministri Çeku.

Ai tha se motivi dhe angazhimi institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga Kosova. Por, sipas tij ajo çka kemi me kursim në Kosovë, është toka.

“Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t'u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore”, ka thënë tutje Çeku.

Ai ka siguruar publikun rinor se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, me artistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion. E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, ka theksuar Çeku.

(E plotësuar)

Foto / fb Erion Veliaj

Veliaj për “Sunny Hill”: Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas

Kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka reaguar pas zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.

Në një postim në Twitter ai ka shkruar se do të jenë të gjithë bashkë në Tiranë dhe Prishtinë.

“Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas, në gëzime e sfida do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë, sot në Tiranë, nesër në Prishtinë, por gjithmonë një – gjithmonë bashkë”, ka shkruar Veliaj.

(E plotësuar)

Foto/ fb Alban Kastrati

Kastrati: Ndjejmë keqardhje që "Sunny Hill" nuk mbahet në Prishtinë

Njëri prej organizatorëve të festivalit “Sunny Hill”, Alban Kastrati ka thënë se janë të dëshpëruar që këtë vit ky festival nuk do të mbahet në Prishtinë, por në Tiranë.

“Të dëshpëruar, këtë vendim jemi detyruar ta marrim për shkak të vonesave të shumta - deri në rrezikim të këtij edicioni të festivalit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërhyrjeve e kundërshtimeve të panevojshme politike lidhur me kërkesën tonë për përcaktimin e një hapësire publike për Sunny Hill Festival. Kjo vonesë po vazhdon edhe sot, përkundër faktit se Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar nga një edicion është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka thënë Kastrati.

Ai ka folur edhe për atë se pse ‘Sunny Hill’ ka kërkuar hapësirë të dedikuar për festivalin.  

“Nevoja për këtë hapësirë përkon me pamundësinë që festivali të vazhdojë të mbahet në Parkun e Gërmisë por edhe rritjen masive të festivalit, i cili ka potencial të bëhet ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropën Juglindore, duke e bërë Prishtinën destinacion për turizëm kulturor nga e gjithë bota, derisa ndikimi ekonomik është i dukshëm dhe me efekt të menjëhershëm dhe me potencial te rritjes masive në vitet në vijim”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij toka e papërdorur e Komunës do të bëhej ‘Park publik’, me qasje të hapur për të gjithë qytetarët…

“Plani është që hapësirën aktuale (e cila është tokë djerrinë dhe e papërdorshme sot) festivali ta shndërrojë në park publik, me qasje të hapur nga të gjithë qytetarët, gjatë gjithë vitit, përveç ditëve të nevojshme për përgatitje dhe mbajtje të festivalit”, ka shtuar ai.

Sipas tij për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara, ky opsion më nuk është i mundshëm, dhe Sunny Hill Festival mund të rikthehet në Prishtinë në vitet e ardhshme, kur mbështetja dhe përgatitjet për një edicion si ky i Tiranës që po bëhet, ndodhë edhe prej institucioneve në Prishtinë.

“Ndjejmë shumë keqardhje për dhjetëra mijëra pjesëmarrës që tashmë i kanë blerë biletat për Sunny Hill Festival 2022 në Prishtinë. Natyrisht, biletat e njëjta do të vlejnë edhe për Sunny Hill Festival 2022 në Tiranë, ndërsa të gjithë ata që nuk mund të jenë fizikisht në Tiranë më 4,5,6 dhe 7 gusht, prej dates 1 deri më 15 korrik 2022 do të mund të aplikojnë dhe të kompensohen me shumën e njëjtë të parave dhe biletat e blera (udhëzimët e sakta për kompensim do të bëhen në njoftimet e radhës). I mbesim përgjithmonë mirënjohës mbështetësve të shumtë të festivalit, partnerëve, dhe donatorëve, si dhe gjithë vullnetarëve e miqve të festivalit tonë, të cilin do të mundohemi ta rikthejmë në Prishtinë, në afatin sa më të shkurtër kohor”, ka thënë Kastrati.

Ai një falënderim dhe mirënjohje të veçantë i ka dhënë edhe Kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilët sipas tij kanë bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për ta mbajtur Festivalin Sunny Hill në Prishtinë.

(E plotësuar)

Besnik Tahiri kritikon Qeverinë për anulimin e “Sunny Hill”

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka akuzuar Qeverinë Kurti për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Shqipëri.

Ai në një postim në Facebook madje ka kërkuar edhe dorëheqjen e Qeverisë Kurti, të cilin e ka quajtur si “Qeveria Breshka”, duke aluduar në vendimmarrje të ngadalshme në qeverisje.

“Sot, paradite fola për vendimmarrjen shumë të ngadalshme të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar më këqyrke çka po them! Tash qe edhe deklarata zyrtare që në mungesë të ekspedivitetit dhe dinamikës së mirëfilltë në punë, e humbëm një festival që e patëm në promovim të Kosovës - atë të Sunny Hill. Shkoi në Tiranë!!!! Me këtë qasje totalisht fëmijërore dhe joserioze, se di ku është nisur kjo qeveri. Dorëheqje për ‘Qeverinë Breshka’”, ka shkruar Tahiri.

FOTO /RTK

Asamblistët e VV-së akuzojnë kryetarin Rama për dështimin e Sunny Hill

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka quajtur lajm jo mirë vendimin e organizatorëve që edicioni i sivjetmë i festivalit “Sunny Hill” të mos mbahet në Prishtinë dhe njëherësh që ai të zhvendoset në Tiranë.

Në një postim në Facebook, asamblistët e Vetëvendosjes thonë se përpjekjet e tyre që të mundësohet mbajtja e këtij festivali u injoruan në mënyrë arrogante nga kryetari i Prishtinës.

“Nga fillimi, ne si grup, i kemi ngritur shqetësimet dhe brengat tona, në mbledhjen e Kuvendit Komunal, në lidhje me dokumentacionin e pakompletuar dhe marrëveshjen e dëmshme të negociuar nga kryetari Përparim Rama. Kërkesat tona në raport me marrëveshjen e negociuar kanë qenë që prona të mos jepet për 99 vjet, por për një periudhë 15-20 vjet dhe që kjo hapësirë të mund të shfrytëzohet edhe për koncerte tjera që nuk janë të karakterit të njëjtë si Sunny Hill, si dhe të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe plotësimi i dokumentacionit konform kërkesave ligjore”, thuhet në reagim.

Grupi i asamblistëve të VV-së thonë se “për shkak të mungesës së njohurive bazë të procedurave, refuzimit të bashkëpunimit dhe të ndihmës, si dhe qasjes arrogante dhe desktruktive të kryetarit milioner, qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës po mbesin këtë vit pa këtë ngjarje të madhe kulturore”.

(E plotësuar)

FOTO/ PRESIDENCA

Donika Miftari nga Presidenca: Sunny Hill duhet të kthehet në Prishtinë

Donika Miftari, këshilltare kryesore për Komunikim të presidentes Vjosa Osmani ka reaguar pas zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë për shkak të vonesave procedurale nga ana e MAPL-së.

Në një postim në Twitter, Miftari ka përkujtuar se Sunny Hill është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Zyra jonë lufton për ta mbajtur atë në Prishtinë - rinia jonë pret dhe meriton më mirë. Duhet gjetur një zgjidhje për ta kthyer aty ku i takon”, ka shkruar ajo duke cilësuar Dua Lipën si ambasadore të Kosovës në botë.

 

(E plotësuar)

FOTO / RTK

MAPL për Sunny Hill: Jemi në proces të shqyrtimit, s`bëhet fjalë për anulim

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dalë me sqarim publik për media pas anulimit të mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” dhe zhvendosjes së tij në Tiranë.

Në sqarim thuhet se ministria që nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjate të pronës komunale në shfrytëzim dhe se nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë, të cilat mungojnë.

Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL, në fillim të këtij viti, u ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022.

Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës më 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar më datë 16.05.2022.

Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore. Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:

a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;

b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të rregullores për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, citohet, mes tjerash, në sqarimin e MAPL-së.

NAPL bën të ditur se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces.

Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike, MAPL njofton se janë në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë.

 

(E plotësuar)

FOTO / RTK

Anulimi i Sunny Hill, Rama hedh fajin te Qeveria Kurti 

Vjen edhe reagimi i kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për anulimin e festivalit ‘Sunny Hill’ duke thënë se për këtë fajtor kryesor është Qeveria e Kosovës.

Në reagimin e tij, Rama ka thënë se një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t'i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, zhvillimin ekonomik dhe imazhin e përgjithshëm.

“Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t'i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, në një njoftim zyrtar në Facebook, organizatorët thonë se data e festivalit nuk ka ndryshuar dhe se ajo do të mbahet nga data 4 deri më 7 gusht.

(E plotësuar)

FOTO/ RTK

Rama e quan lajm të mirë mbajtjen e “Sunny Hill” në Tiranë 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka quajtur lajm të mirë mbajtjen e “Sunny Hill” në Tiranë, pasi festivali dështoi të mbahej në Kosovë.

“Lajm i mirë. Festivali "Sunny Hill" vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S'ka si Tirona jo”, ka shkruar Rama në Facebook.

Festivali “Sunny Hill”, i planifikuar të mbahet në Prishtinë, ka dështuar pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ua ka kthyer përgjigjen definitive organizatorëve për dhënien e tokës në shfrytëzim.

(E plotësuar)

Foto/ fb Gëzim Sveçla

Anulimi i Sunny Hill, vjen reagimi i VV-së: Dyshimet janë për pazare

Pas anulimit të festivalit ‘Sunny Hill’ dhe zhvendosjes së tij në Tiranë, për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës, ka reaguar Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë.

Gëzim Sveçla në një postim në Facebook ka mirëpritur heqjen dorë të 'Sunny Hill' nga insistimi për 99 vjet pronë.

“Duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë. Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa