Festivali multikulturor nis këtë të premte në kryeqytet
Kulturë

Festivali multikulturor nis këtë të premte në kryeqytet

KSP

Festivali multikulturor “Të festojmë së bashku” nis këtë të premte dhe do të zgjasë dy ditë, më 17 dhe 18 qershor, me ç’rast do të mbahen aktivitete të ndryshme në parkun e qytetit.

Festivali multikulturor është një ngjarje tradicionale e organizuar nga organizata joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, qëllimi kryesor i së cilës është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rinj e, po ashtu, edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.

Gjatë edicioneve të mëparshme festivali ka pritur mbi 5 000 pjesëmarrës të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin rom, ashkali dhe egjiptian, përfshirë këtu edhe shumë tema të tjera të cilat zgjuan interesim të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi për ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e, mbi të gjitha, për inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.

Festivali multikulturor do të organizohet për herë të katërt dhe synon të bëhet ngjarja më e madhe në rajon. Qëllimi i tij kryesor është të sigurojë pjesëmarrje të shumë aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, artistëve, politikëbërësve kryesorë me ndikim dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, akademikëve, studentëve dhe palëve të tjera të interesuara të cilët do të ndihmojnë në promovimin e suksesshëm të komuniteteve të margjinalizuara etnike në Kosovë. Ngjarja e këtij festivali, sipas organizatorëve, do të vendosë në qendër të vëmendjes dëshmitë autentike nga romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët të cilët kanë prejardhje të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Qëllimi kryesor i festivalit multikulturor është thyerja e ciklit të përjashtimit të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve përmes promovimit të identitetit të tyre, fuqisë së tyre dhe vullnetit të fortë për të qenë të barabartë si gjithë të tjerët. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët janë pasuri e këtij vendi dhe kanë çka t’i ofrojnë kësaj shoqërie.

Dy ditët e Festivalit do të organizohen në Parkun e Qytetit dhe do të organizohen këto veprimtari:

·Paradë plot ngjyra, si një nga pikat kryesore të ditës së dytë. Disa grupe të komuniteteve do të shfaqin me krenari trashëgiminë e tyre kulturore përmes veshjeve të tyre tradicionale;

·Tregu i shitësve artizanalë që shesin dhe promovojnë një gamë të gjerë të veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova;

·Prezantimi i kuzhinës tradicionale;

·Shfaqje kulturore 3-5 akte në ditë;

·Tenda për të rinj dhe fëmijë për një mjedis miqësor ku familjet mund të përjetojnë art dhe muzikë nga kultura të ndryshme përmes shfaqjeve, aktiviteteve praktike, të krijuara posaçërisht për fëmijët dhe familjarët.

Festivali do të zgjasë dy ditë dhe do të jetë i hapur nga ora 11:00 deri në ora 19:00.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa