Kurti takoi ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping
BKT
Lajme

Kurti takoi ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping

Naser Mekolli /RTKlive.com

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Rudolf Scharping.

“Kryeministri shprehu kënaqësinë që takoi, siç tha ai, një mik dhe një aleat të moçëm të Kosovës dhe të popullit tonë. Ai e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen z. Scharping për kontributin e madh që ka dhënë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme para dhe pas shpalljes së pavarësisë”, njofton zyra për informim e kryeministrit.

Rudolf Scharping ka qenë ministër i Mbrojtjes në vitet 1998-2002. Ai ka udhëhequr me forcat e armatosura të Gjermanisë gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe. Scharping i cilësonte sulmet ajrore legjitime dhe ndërhyrje humanitare për të shpëtuar shqiptarët nga dëbimi i dhunshëm dhe spastrimi etnik i Kosovës që po e zbatonte regjimi i Serbisë.

Si dihet për masakrat e forcave serbe kundër popullatës shqiptare z. Scharping ka shkruar librin "Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa".

Bëhet e ditur se në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, dhe u shkëmbyen mendime e ide për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.​


MË SHUME NGA Lajme