Policia e përgatitur për protestën e nesërme të veteranëve të UÇK-së
BKT
Lajme

Policia e përgatitur për protestën e nesërme të veteranëve të UÇK-së

Policia e Kosovës njofton se me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.

“Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës”, njofton PK, përmes një komunikate për media.

Policia e Kosovës thotë se e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore.

Bëhet e ditur se PK-ja, ka filluar përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet tutje në komunikatë.

Policia pohon se do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.

 


MË SHUME NGA Lajme