Rama ia kujton Zelenskyt se Ukraina nuk e ka njohur Kosoven
rtsh.al
(E plotësuar) Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Zelenski, si dhe homologun e tij të Malit të Zi, Abazoviç, kryeministri Edi Rama, i tha presidentit ukrainas se ndonëse Ukraina nuk e njeh Kosovën, kjo e fundit ka ndërrmarë të gjitha sanksionet e mundshme kundër Rusisë.
Sipas zotit Rama, ky veprim nga ana e Kosovës, tregon mbështetjen që kanë kosovarët me popullin ukrainas në këtë moment të vështirë.
“Merrni shembull Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën. Të gjitha janë në mbështetje. Ka dhe një vend që Ukrainë ende nuk e ka njohur. Eshtë Kosova që po bën ekzaktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që jemi në një linjë të mirëkrahasuar. Besoj fort që është gjëja e duhur për t’u bërë. Ukraina e kërkon. Le t’i jepet statusi i vendit kandidat. Populli i Ukrainës duhet ta dijë tani që në sytë e BE-së e ardhmja e tyre është në familjen e BE-së. Kjo është ajo që nënkupton”, tha Rama.
Kiev/ Rama: Rindërtojmë një bllok banesash në Irpin! Zelensky: S'jemi rivalë në rrugën drejt BE
Nga Kievi, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vendet e Ballkanit Perëndimor do të rindërtojnë secili nga një bllok banesash për banorët në Irpin, sot i shkatërruar nga bombardimet ruse.
Në konferencën e përbashkët me shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Rama tha se një gjë e tillë do të bëhet në mënyrë “ballkanase”, pa shumë procedura.
“Jam i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve ndërtesën e tij për familjet e Irpinit. E di që BE dhe shumë të tjerë janë pjesë e kësaj përpjekje, pro le ta bëjmë në mënyrë Ballkanike, pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë. Shprehim mbështetjen e plotë të idesë dhe kërkesës suaj që BE t’i japi Ukrainës statusin e vendit kandidat. Jemi të lumtur t’i bashkojmë emrat tanë me tuajin në këtë deklaratë të përbashkët. Nuk duam të spekulojmë që BE nuk e ka mbajtur fjalën me ne dhe pse duhet të bëjnë diçka tani për Ukrainën. Ne nuk jemi të kënaqur me BE, por jemi të angazhuar për rrugëtimin europian për brezat e ardhshëm. E kuptojmë këtë dëshirë të Ukrainës për të marrë statusin e vendit kandidat dhe nga ana jonë keni mbështetje të plotë nga ne”, tha Rama.
Po ashtu ai shtoi se Shqipëria, si vend anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ngrejë zërin për shqetësimet e Ukrainës.
“Jam krenar të ndaj me ju që Shqipëria si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit është e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze shqetësimeve dhe kërkesave të popullit ukrainas për një paqe të drejtë”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e vuri theksin te çështja e integrimit në BE, ku tha se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina, e meritojnë të jenë pjesë e unionit.
“Sot pritëm një takim shumë të rëndësishëm, praktikisht një samit të Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kreun e qeverisë shqiptare dhe kreun e Malit të Zi. Ky takim është dëshmi e mbështetjes për Ukrainë nga na e kryeministrave dhe popujve të vendeve të tyre, për integritetin territorial të Ukrainës. Ne ramë dakord se një përgjigje taktike kundër agresionit rus duhet të jetë një mbështetje më e intensifikuar ndaj Ukrainës dhe më e shpejtë, sidomos në armatime. Paketa e shtatë e sanksioneve kundër Rusisë duhet të jetë edhe më e fortë. Në BE duhet të kalojmë ndasitë. Ukraina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëhen anëtarë me të drejta të plota të BE. Vendet tona nuk janë rivalë në këtë rrugëtim”, tha ai.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa shprehu mbështetjen e vendit të tij për rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të agresionit rus.
“Lufta të ndalet, çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme. Duhet të gjejmë një rrugë për të ndaluar shkatërrimet masive, vrasjet e njerëzve. Do keni mbështetje të plotë për rindërtimin. Ne jemi vende të vogla, por keni mbështetjen tonë, do japim kontributin tonë. Ne shpresojmë që kjo vizitë, ky samit i 3 kryeministrave nga Ballkani Perëndimor, është një mesazh i fortë për vendet e BE-së, për partneret e BE-së që kanë mundësi reale për të bërë më shumë se ne. Duhet të jemi në të njëjtën gjatësi vale. Ajo çfarë keni bërë deri më tani është e pabesueshme”, tha ai.
Gjatë kësaj vizite në Ukrainë, Rama dhe Abazoviç kanë vizituar edhe zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin. Rama dhe Abazoviç u nisën mbrëmjen e djeshme drejt Kievit, ndërsa kjo është vizita e parë e kreut të qeverisë shqiptare në Ukrainë, që prej nisjes së luftës. Shqipëria ka shprehur mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, ndërsa i është bashkuar edhe sanksioneve të BE kundër Rusisë.























