VIDEO - Personat me atësi të kufizuara ndihen të diskriminuar
BKT
Lajme

VIDEO - Personat me atësi të kufizuara ndihen të diskriminuar

Elmine Osmani /RTK

Në projektligjin për pagën minimale që u miratua në parim nga Kuvendi i Kosovës, nuk janë përfshirë as personat me aftësi të kufizuara. Përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme të kësaj kategorie janë shprehur të habitur për mospërfshirjen e tyre në këtë projektligj, derisa thonë se me këtë veprim ata janë diskriminuar nga institucionet.

Personat me aftësi të kufizuara po konsiderojnë se Projektligji për pagën minimale, i miratuar të martën në Kuvend, e ka diskriminuar këtë kategori. Agim Vatovci nga Shoqata për persona me hendikep dhe aftësi të kufizuara, shpreh shqetësimin se ata nuk janë ftuar paraprakisht të diskutojnë për këtë çështje.

“Kjo është një shkelje mund të them ndoshta është edhe një ngutësi e tyre. Është dashtë me i ftua të gjitha kategoritë dhe me i pyet, sepse në qeveritë e kaluara gjithmonë na ka ftuar në zyrë të kryeparalmentarit apo kryeministrit, se çka mendojmë për këtë ligj, a është diskriminus apo jo?! Nëse një person me nevoja të veçanta sot jeton më keq se para 23 viteve kjo nuk do koment. Kur ta them këtë kam shumë arsye sepse personat me nevoja të veçanta që janë në karrocë janë tri kategori”, tha Agim Vatovci, kryetar i Shoqatë së personave me Hendikep dhe Aftësi të Kufizuara.

Të prekur drejtpërdrejtë në mos përfshirjen në Projektligjin për pagën minimale janë shprehur edhe personat e verbër dhe paraplegjikë e tetraplegjikë. Sipas tyre, kjo ka krijuar një pasiguri për financimin e këtyre personave në të ardhmen.

“Ne nuk kemi pasë aspak informata sa i përket inicimit të kësaj procedure, të gjitha informatat i kemi marrë përmes mediave....Nuk mendoj që është një praktikë e mirë sepse paraprakisht është dashtë të ulemi e të diskutojmë dhe të gjejmë një alternativë”, tha Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar.

Arif Daka nga Shoqata e Autistëve, thotë se miratimi i projektligjit dëmton personat me aftësi të kufizuara.

“Ky miratim dëmton organizatat e personave me aftësi të kufizuara sepse nuk ka ndonjë masë kufizuese se sa do të jetë mbështetja minimale që ata do ta marrin”, tha Arif Daka nga Shoqata e Autistëve të Kosovës.

Daka shprehet optimist se për këtë çështje do të diskutohet në një takim të paraparë të premten me zyrtarë të qeverisë.

 


MË SHUME NGA Lajme