Mehaj e Jashari, në Shtabin e NATO-s në Bruksel, me ftesë të SHBA-së
Naser Mekolli /RTKlive.com
Në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, morën pjesë së bashku me ministrat dhe shefat e mbrojtjes së rreth 50 shteteve, në Konferencën mujore të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) me ftesë, organizim dhe kryesim të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin III.
“Me këtë rast, ministri Mehaj, në fjalimin e tij, theksoi masat e Republikës së Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë si dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës në funksion të mbështetjes së qeverisë dhe popullit ukrainas në kauzën e tyre”, njofton Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.
Bëhet e ditur se në margjinat e konferencës, ministri Mehaj së bashku me Gjeneral Jasharin takuan Sekretarin Austin si dhe Komandantin e Komandës Amerikane për Evropë, i cili njëkohësisht është edhe Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, Gjeneralin me 4 yje Tod D. Wolters. Gjithashtu, ata takuan edhe ministra e shefa të shumtë të mbrojtjes, si të Kanadasë, Holandës, Shqipërisë, Kroacisë, Polonisë, Letonisë, Malit të Zi etj.
“Ky është përfaqësimi më i lartë deri më tani i ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të FSK-së, së bashku, në nivelin ndërkombëtar të mbrojtjes. Ftesa e SHBA-së për përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, në këtë Grup, rikonfirmon besimin e fuqishëm dhe partneritetin e ngushtë me institucionet tona të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet tutje në këtë njoftim.
























