Ndërpritet seanca, veteranët takojnë nesër kryeministrin
Muharrem Miftari/RTKLive
(E plotësuar: Ora: 17:00) Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës. Tashmë kjo kërkesë e veteranëve të OVL të UCK-së, është përmbushur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se bllokimi i punës së Kuvendit nuk do të vazhdojë pafundësisht.
Sidoqoftë, ai tha se e ndërpret seancën përfundimisht, për shkak të insistimit të opozitës.
Megjithatë, Konjufca tha se kjo seancë do të shtyhet për javën e ardhshme.
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk lejuan rifillimin e seancës në Kuvendit.
Ata kundërshtojnë vazhdimin e saj, derisa kryeministri Albin Kurti t’i takojë përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, të cilët që nga mëngjesi po protestojnë para Kuvendit.
Deputetët e PDK-së dhe AAK-së ishin pozicionuar tek foltorja kryetarit të Kuvendit, duke mos e lejuar që të rifillojë seanca.
Ata qëndruan tek mikrofoni Konjufcës duke mos u larguar që aty.
Ndërkohë, kryeministri Kurti u ka bërë veteranëve ftesë për takim nesër në orën 9:00.
PDK bllokon seancën, Konjufca thërret sërish takim
(E plotësuar: Ora: 15:20) PDK-ja ka bllokuar seancën e Kuvendit duke kërkuar që kryeministri Albin Kurti, të takojë sot veteranët e UÇK-së.
Deputetët e kësaj partie janë vendosur para foltores duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi edhe një orë tjetër pauzë.
Ai gjithashtu ftoi shefat e Grupeve Parlamentare në zyrën e tij, me qëllim të diskutimit në përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje.
Kurti: Nuk do të shkoj në Prespë, do t’i takoj protestuesit
Qeveria e Republikës së Kosovës me politikat e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë vendit
"Nuk besoj se ne dallojmë lidhur me respektin ndaj veteranëve të UÇK-së, por bindjet tona", u shpreh kyeministri Kurti.
Ai foli për shumën e të hollave që Qeveria e Kosovës i ka ndarë 120 milionë euro, për kategorinë veteranëve të luftës, që është shumë ma shumë se kjo tani.
"Dallojmë në përmbajtje të ligjit, aty ne kemi vërejtje, këtë kemi pasur edhe sa ishim në opozitë, ngase kemi vërejtur se aty ka fryrje te numri i veteranëve. Duhet te jemi te kujdesshëm për të sotmen e të ardhmen, t’u përmbahemi të vërtetës", tha ai.
Kurti premtoi se do t’i takojë përfaqësuesit e veteranëve por për një ditë tjetër, duke premtuar se nuk do të shkojë në Prespë në takimin në nivel ndërkombëtar që po mbahet atje.
“Unë bëra dje një propozim shumë të qartë dhe të saktë. Zyra ime i kontakton organizatat e dala nga lufta, përkatësisht të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për takim nesër. Nëse thua vetëm sot, vetëm tash, kjo do të kishte kuptim, të hënën. Të hënën ka kaluar në lexim të parë projektligji që e ka rritur pagën minimale. Sot është absurde. Dhe, së dyti, unë nuk mendoj që një deputet i opozitës, qoftë ai edhe më i miri, të flasë në emër të protestuesve, është gabim. Unë kam organizuar shumë protesta, por unë kam dalë në ballë kur kam organizuar protesta. Unë kam qenë aty dhe kam folur në emër të protestuesve. Kam qenë edhe kryetar i një subjekti që organizonte protesta, prandaj s’ka pasur problem legjitimiteti. Ju duhet ta kuptoni që nuk mund të flisni në emër të protestuesve. Nuk jeni në situatën që dikur isha unë. Nuk jeni, më vjen keq!”, tha kryeministri Kurti.
(E plotësuar) Tahiri: E pamjaftueshme që të jetohet me një pagë minimale
Abelard Tahiri ka reaguar se është e pamjaftueshme që të jetohet me një pagë minimale të tillë, ndaj kemi kërkuar juve që të mos ballafaqohemi mes veti si deputetë, që të gjendet një zgjidhje.
Ata kanë kërkuar një të drejtë legjitime të tyre ndaj ne sot, si PDK, kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë te mblidhet Komisioni për Buxhet e Transfere bashkë me OVL UÇK të fillojë një dialog të mirëfilltë
Ndërkaq deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri tha se nuk do të flasë për përmbajtjen e ligjit por kam vetëm një kërkesë që nuk ka të jetë më legjitime,
“I vetmi synim është që të bëhet llugë Kosova, që të krijohen situata e kauza pa kurrfarë nevoje. Duhet konsultim”, tha deputeti Besnik Tahiri.
(E plotësuar: Ora:13:27) Pritet të rifillojë seanca e Kuvendit
Pas ndërprerjes së seancës ë paradites së sotme, për shkak të bllokimit nga ana e deputetëve opozitarë, lidhur me protestën e veteranëve të UÇK-së, të organizuar nga OVL UÇK, për mospërfshirjen e kësaj kategorie në ligjin për pagën minimale, ajo ka rifilluar.
Në sallë po vërehen deputetë.
(E plotësuar: Ora:12:17)Shtyhet seanca deri në orën 13:00,opozita përkrahë protestuesit (Video)
Pas ndërprerjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, para protestuesve në oborrin e Kuvendit doli shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri,i cili tha se nuk do të ketë seancë pa plotësimin e kërkesave të tyre.
“Nuk do të lejojmë të vazhdojë seanca pa u plotësuar kërkesat e veteranëve të luftës”, tha Tahiri.
“Kjo është kërkesë minimale e dinjitetshme”.
Ai tutje theksoi se është e turpshme që në 23-vjetorin e çlirimit të vendit të trajtohet në këtë mënyrë.
“Prandaj kërkojmë që sot ta gjejmë një zgjidhje”.
Protestuesve, deputeti tahiri iu tha se seanca është ndërprerë deri në orën 13:00.
“Sot kërkuam që kjo seancë të ndërpritet, shpresojmë se mazhoranca do të reflektojë”, tha Tahiri.
“Kërkuam që qeveria me Komisionin për Buxhet të mblidhen dhe të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e veteranëve në ligj. Nuk mund të ketë seanca normale pa u zgjidhur çështja e juaj. Bashkërisht ta gjejmë një zgjidhje”, tha deputeti i PDK-së.
Ende pa filluar mirë, ndërpritet seanca e Kuvendit
(E plotësuar: Ora: 11:15) Kjo për shkak të protestës së OVL të UÇK-së që po mbahet në oborrin e Kuvendit.
Veteranët po kërkojnë që në projektligjin për pagën minimale, të përfshihet edhe kjo kategori e dalë nga lufta.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, i cili në fillim uroi ditën e çlirimit të vendit, kërkoi që të gjithë të jenë të përmbajtur.
“Nuk ua kam borxh as unë e as të tjerët për të fyer njëri-tjetrin. Nuk do të dëshiroja që të na shajnë” tha Krasniqi.
Ndërkaq deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, që është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie, tha se nuk duhet vepruar sikur të jetë gjithçka normale, jashtë kësaj salle dhe brenda saj.
Si pas tij, e vërteta është se një pjesë e jashtëzakonshme vitale e kontributdhënësve të vendit, ndodhet në protestë jashtë Kuvendit.
Deputeti Gashi tutje kritikoi qeverinë për injorimin e kësaj kategorie të shoqërisë, duke anashkaluar edhe opozitën për të trajtuar si duhet në përfshirjen në ligj edhe këtë kategori.
“Veteranët nuk e meritojnë këtë mënyrë. Ata kanë dhënë kontributin e jashtëzakonshëm për këtë ditë dhe kontributi i tyre duhet të respektohet. Kjo situatë denigron çdo gjë, luftën , të sotmen dhe pamundëson të ardhmen”, deklaroi Gashi.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se mbajtja e një seance të tillë, kur në oborr të Kuvendit po protestojnë veteranët është e pakuptimtë.
Duke uruar qytetarët e Deçanit për Ditën e Çlirimit, ajo tha se duhet rikujtuar se falë ushtarëve të UÇK-së, gëzohet kjo ditë. “Por nuk mund të gëzojmë kur ata protestojnë”, tha deputetja Kadriaj.
Për këtë arsye, deputetët e opozitës dolën në foltore duke bllokuar vazhdimin e seancës. Deputeti i PDK-së, Abelart Tahiri, në shenjë revolte, hoqi mikrofonin e foltores.
Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, thirri në zyrën e tij për konsultime shefat e Grupe Parlamentare për t’u konsultuar lidhur me vazhdimin ose jo të kësaj seance.
Sot në rendin e ditës në këtë seancë janë paraparë disa pika të rendit të ditës, si ajo e shqyrtimit ët projektligjit për mundësinë e tërheqjes së një sasie të mjeteve financiare nga qytetarët nga Trusti Pensional.
Në rend të ditës nuk ëhstë projektligji për pagën e minimale për të cilën po protesojnë veteranët, sepse një projektligj i tillë është votuar në parim, dy ditë më parë.
Në seancë, po merr pjesë edhe kabineti qeveritar, përfshirë kryeministrin Albin Kurti.
Kuvendi seancë për Trust, jashtë protestohet pro tërheqjes së parave
Jeton Musliu / RTKlive
Sindikata e Re e KEK-ut organizon sot protestë, me kërkesën për votimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional. Kësaj proteste është paralajmëruar se do t`i bashkohen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se do të jenë të pranishëm në
këtë protestë, por sipas tij, vetëm kryesia e sindikatës, teksa shtoi se janë në dialog me Qeverinë dhe në pritje të një përgjigjeje për realizimin e kërkesave të tyre.
“Ne edhe gjatë organizimit të protestave nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kemi marr pjesë si kryesi ekzekutive e sindikatës për të përfaqësuar edhe kërkesat edhe të drejtat e Policisë së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, në rast se Qeveria ofron përgjigje negative atëherë janë të detyruar të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, ka ftuar deputetët që ta miratojnë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Deputeti i kësaj partie, njëherësh iniciues i këtij Projektligji, Bekim Haxhiu, ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’iu mundësojë qytetarëve një tërheqje të re.
Sot është caktuar seanca e Kuvendit të Kosovës pikërisht me këtë pikë të rendit të ditës.























