Përfundon protesta e sindikatave,që kërkonin tërheqjen e parave nga Trusti
Jeton Musliu / RTKlive
(E plotësuar: Ora: 14:30) Ka përfunduar protesta e thirrur nga disa sindikata të cilat kërkojnë nga deputetët që t’i jepet mbështetje projektligjit për tërheqje të një sasie të parave nga Trusti Pensional.
Protesta e tyre ishte e qetë, ndonëse u zhvillua në momentin kur edhe OVL e UÇK-së ka thirre një protestë, por për një çështje tjetër.
Sidoqoftë, protesta e sindikatave përfundoi, pasi edhe ashtu seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të diskutohej për projektligjin që lejon tërheqjen e një sasie të mjeteve financiare nga Trusti i Kursimeve Pensionale, u ndërpre nga ana e PDK-së.
Ndonëse kjo parti opozitare e inicioi këtë projektligj, ajo e ndërpreu seancën në përkrahje të veteranëve.
Protestë tjetër, Kuvendit i kërkohen paratë e Trustit
Sindikata e Re e KEK-ut gjithashtu sot mban protestë para Kuvendit të Kosovës, me kërkesën për votimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Sot është caktuar seanca e Kuvendit të Kosovës ku mes tjerash është pikërisht edhe kjo pikë e rendit të ditës.
Megjithatë, aho është ndërprerë shkaku i protestës së thirrur nga OVL e UCK-së të cilët kërkojnë që në projektligjin për pagën minimale të përfshihet edhe kjo kategori.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, ka ftuar deputetët që ta miratojnë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Deputeti i kësaj partie, njëherësh iniciues i këtij Projektligji, Bekim Haxhiu, ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’iu mundësojë qytetarëve një tërheqje të re.
























