Alarmi për bombë në aeroport ishte i rrejshëm, fillon operimi normal
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Alarmi për bombë në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë fatmirësisht ka rezultuar i rremë. Është zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, e cila ka konfirmuar se tashmë aeroporti është rihapur për fluturime dhe gjithçka është e sigurt.
“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP 'Adem Jashari' është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Një alarm i tillë i rrejshëm për bombë në aeroport ishte dhënë edhe në mbrëmjen e 2 qershorit.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme ka pasur alarme për bomba edhe në disa shkolla, kryesisht në vendbanimet me shumicë serbe, por që po ashtu kanë rezultuar të rreme.
Sërish alarm për bombë në aeroportin “Adem Jashari”
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një tjetër kërcënim për bombë, pasditen e së enjtes. Njesitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i ndërmarrë masat e nevojshme dhe për të evakuuar personat të cilët ndodheshin në aeroport.
“Policia e Kosovës në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport. Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9). Policia e Kosovës, po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat/qytetarët në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Edhe para dy javësh në aeroportin "Adem Jashari" u alarmua për bombë nëpërmjet një kërcënimi me email, por më pas gjithçka rezultojë se ishte kërcënim i rrejshëm.























