Molliqaj: Dhuna policore ishte ndër më brutalet ndonjëherë
BKT
Lajme

Molliqaj: Dhuna policore ishte ndër më brutalet ndonjëherë

Blerim Halimi / RTKlive

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka kritikuar Policinë e Kosovës për ushtrim të dhunës gjatë arrestimit të tij të sotëm.  

“Dhuna policore gjatë arrestimit të sotëm ishte ndër më brutalet ndonjëherë. E për çka? Që në fund të lirohemi pas 2 orësh? Rrjedha e ngjarjeve ndodhi kështu vetëm për një arsye: Pushteti po përndjek politikisht me gjithë aparatin shtetëror në dispozicion duke shkelur të gjitha procedurat ligjore në fuqi”, ka shkruar Molliqaj në Facebook pas lirimit, e ku ka publikuar edhe një video të arrestimit të tij.

Ai ka thënë se pushteti po “shpërfaq kthetrat autoritare; pak me shtypjen e grupeve të margjinalizuara e pak me arrestimin e jashtëligjshëm të opozitës”.

“Kjo nuk na zmbraps as nuk na frikëson. Rezistenca vazhdon!”, ka shtuar Molliqaj.

Ai u arrestua sot së bashku me disa nga anëtarët e Partisë Socialdemokrate, të cilët ishin pjesë e protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë protestës Molliqaj ka kritikuar ekzekutivin për vendosjen e policisë para objektit të Qeverisë.

“Me vendos policinë është provokim. Me i heq rrethojat pastaj ta vendosesh policinë është provokim. Nuk pashë që u sulmua dikush, qeveria Kurti i ka hequr rrethojat, ju lutem gjeni arsyetimin publik ku thotë që i kemi hequr rrethojat për me qenë e qasshme për qytetarin. Veteranët janë qytetarë të Republikës së Kosovës, qytetarë meritorë të republikës dhe lirisë, pse po ua qet’ Policinë? Pse po i heq rrethojat pra, lej rrethojat”, ka deklaruar Molliqaj gjatë protestës.

Video e publikuar nga Dardan Molliqaj:
 


MË SHUME NGA Lajme