Stavileci: Mendësia e qeverisjes të jetë një rrugë e dy punë
Blerim Halimi / RTKlive
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci ka thënë se Qeveria duhet të zgjidhë problemet me koncept të efektivitetit, siç e ka quajtur ai një rrugë e dy punë.
“Ne po propozojmë që ta ulin akcizën e naftës për një kohë të caktuar. Ata po thonë: ‘Jo, nuk bën, se mund ta keqpërdorin naftëtarët!’ Ne po japim propozimet tona për veteranët. Ata po thonë: Jo, nuk bën, se duhet pastruar lista e veteranëve!’. Siç po e shohim çdo ditë për të gjitha problemet e kanë përgjigjen pothuajse të njëjtë”, ka thënë Stavileci në një postim në Facebook.
Por, ai mendon se qeveria mund t’i zgjidhë këto çështje shumë lehtë. “Për t'i zgjidhur thjesht këto probleme mjafton që mendësia e qeverisjes të jetë ajo e konceptit të efektivitetit: një rrugë e dy punë. Më lehtë se kaq s'ka ku shkon. Pra, ule akcizën, kontrollo naftëtarët që të mos keqpërdorin. Jepi pagën meritore veteranit të vërtetë, pastroje listën nga të rrejshmit”, ka thënë tutje Stavileci.
Sipas tij me mendësinë ‘me një rrugë o vetëm një punë o asnjë apo së pari njëra pastaj tjetra’ thellohen problemet dhe nuk mund të arrihen rezultatet.
“Këtë logjikë edhe praktikanti më i thjeshtë e kupton dhe e zbaton pas një kohe shumë të shkurtër”, ka nënvizuar Stavileci.
Reagimi i tij vjen pas protestës së sotme të veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë kërkuar të përfshihen në projektligjin për pagën mimimale.























