Konjufca niset drejt Hagës: Jemi të brengosur për procesin
BKT
Foto: Glauk Konjufca/ Facebook
Lajme

Konjufca niset drejt Hagës: Jemi të brengosur për procesin

KSP

(E plotësuar: Ora: 13:18) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca udhëton sot drejt Hagës ku do të takojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Para nisjes, ai i ka thënë KosovaPress-it se institucionet e vendit janë të brengosura me çka po ndodh atje ndërsa ka shtuar se qëllimi i kësaj vizite është të tregojë se po i përcjellin më vëmendje këto procese.

Glauk Konjufca po bëhet zyrtari i parë i lartë i shtetit që do të takojë të gjithë ish-krerët e UÇK-së në qendrën e paraburgimit në Hagë, përfshirë dy figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ai ka konfirmuar udhëtimin në Hagë dhe takimin me ata që ai i ka quajtur figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij, po gjykohen padrejtësisht.

Konjufca ka kritikuar mbajtjen e tyre në paraburgim për gati dy vjet derisa procesi gjyqësor nuk po fillon.

Me vizitën e tij në Hagë, Konjufca po synon të tregojë që institucionet e Kosovës janë afër këtij procesi.

 “Qëllimi i kësaj vizite është po ashtu të tregojmë që institucionet tona janë afër këtij procesi, po e përcjellin me vëmendje, po ashtu kemi kritikat tona se si po funksionon kjo gjykatë”, tha Konjufca.

“Kka shumë defekte të cilat i kanë identifikuar të gjithë, pra ajo e drejta bazike që për mendimin tim po shkelet në procesin e tyre, është një drejtë e cila garantohet edhe me konventën evropiane të të drejtave të njeriut, ajo është edhe në Kushtetutë të Kosovës, e sipas kësaj konvente e cila është më e rëndësishme për vet Bashkimin Evropian, dhe për këtë familje të madhe demokratike të vlerave, është e drejta e individit që kur është brenda një procesi gjyqësor ta konsumojë këtë kohë brenda një afati sa më të arsyeshëm të mundshëm, këtë nuk po e shohim në Gjykatën Speciale”.

Konjufca është pyetur nëse krejt këto kritika do t’i adresojë edhe para institucionit të Dhomave të Specializuara por ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizitë nuk do të ketë takime të tjera përveç me krerët e UÇK-së.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës kishte zhvilluar vizitë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por atë nuk kishin pranuar ta takojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 dhe procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime lufte ndërsa në deklarimet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

Konjufca shkon sot në Hagë, nesër takimi me Thaçin e të tjerët

Jeton Musliu/ RTKlive

(E plotësuar: Ora: 9:50) Kryetari I Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk do të takohet sot me krerët e ish UÇK-së në Hagë, që po mbahen të paraburgosur nga Gjykata Speciale.

Në fakt, kryeparlamentari Glauk Konjufca udhëton sot drejt Hagës, por pritet që nesër (e shtunë) të takohet me ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para vizitës atje, Konjufca ka thënë se Gjykata Speciale po i shkel të drejtat e krerëve të UÇK-së dhe se të gjitha këto çështje do t’i diskutojë edhe me ta.

 Muaj më parë në Hagë qëndroi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli nuk pranuan të takohen me të.

Konjufca sot viziton Thaçin e të tjerët në Hagë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka udhëtuar në Hagë.

Ai sot viziton të paraburgosurit që po mbahen në Dhomat e Specializuara.

Vizita bëhet pasi ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë pranuar të takojnë kryekuvendarin Konjufca.

Ky i fundit është ndër zyrtarët më të lartë të shtetit që viziton ish presidnetin, dy ish kryetarët e Kuvendit dhe ish deputetin.

Vetë Konjufca së fundi deklaroi se është për shqetësim ajo çfarë po ndodhë me Gjykatën Speciale.

Ai tha se në Hagë shkon si institucion që përfaqëson republikën. 

“Shkojmë që të shohim si trajtohen. Duket qartë se në disa aspekte ata po shkelin të drejtat e tyre”, deklaroi Konjufca dy ditë më parë në Tiranë.

“Ata po i afrohen kohës 2 vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë”. Kryetari i Kuvendit është shprehur se të paraburgodurve, nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. 

“Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, theksoi kryekuvendari Konjufca.

Kjo është vizita e parë e këtij niveli të lartë nga Kosova, që u bëhet të akuzuarve në Hagë. Vizita pritet të bëhet në orën 9:30 minuta.


MË SHUME NGA Lajme