“Formula 1” edhe në Shqipëri?! Rama: S’kemi pse trembemi
Sport

“Formula 1” edhe në Shqipëri?! Rama: S’kemi pse trembemi

RTSH

“Formula 1” edhe në Shqipëri?! “Nuk kemi pse trembemi nga një ëndërr tjetër”, ka qenë komenti i kryeministrit Edi Rama, rreth kësaj çështje, në edicionin e parë të panairit të makinave "Automative Fair" në Shqipëri.

Në mbështetje të kësaj kreu i qeverisë deklaroi se do të vijojnë punën për autoparkun e Elbasanit, që në të ardhmen të realizohet gara e Formula 1 në vendin tonë.

Zoti Rama tha se shpreson që ëndrra të bëhet realitet, ndërsa e cilësoi panairin të vecantë dhe të parin e këtij lloji, ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse, ndaj i ftoi të gjithë që së bashku me fëmijët të shkojnë për të kaluar disa orë ndryshe në Tiranë.

“Është një panair i veçantë. I pari i këtij lloji në vendin tone, ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse. Gjithashtu gjen hapësirë një industry, e cila po rritet dhe ne besojmë duam ta shtyjmë sa më shumë në të ardhmen e afërt, në mënyrë që të krijojmë vende pune. Dua të ftoj të vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë, ku ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijët, të gjithë fëmijët e të gjitha moshave, si dhe për të kaluar disa orë krejt ndryshe në një Tiranë që është gjithmonë e më e pasur me aktivitete. Do të vijojmë punën për autoparkun e Elbasanit, një sipërfaqe më të madhe se ajo ku zhvillohet panairi. Shpresojmë që ëndrra për të parë një garë të Formula 1, natyrisht jo në të ardhmen e afërt, por në një të ardhme të arritshme, na frymëzon dhe na jep besim që të shkojmë përpara. Askujt nuk ia kishte prerë mendja se do të kishim një finale evropiane në futboll dhe e patëm. Nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr tjetër si kjo, e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri, deri te Formula 1, në një postë që do të ketë të gjitha karakteristikat sepse është bërë në bashkëpunim të ngushtë me FIA, federata, e cila mbulon Formula 1”, tha zoti Rama.


MË SHUME NGA Sport