S’ndalet Llapi, bën një tjetër goditje
Fatmir Bytyqi /RTKlive
FC Llapi bën goditjen e radhës në afatin kalimtar të kësaj verë.
Fituesi i Kupës së Kosovës, sot ka firmosur me Ardi Qorrin, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Feronikelit.
Llapjanët po punojnë mjaft shumë në tregun e kësaj verë, në mënyrë që të ndërtojnë një skuadër sa më të denjë në garat evropian si dhe për edicionin e ardhshëm.
FC Llapi përmes një njoftimi, ka konfirmuar marrëveshjen e arritur me Qorrin.
“Mesfushori Ardi Qorri, pjesë e Feronikelit për 12 vite, ka bërë hapin e radhës në karrierë duke firmosur kontratë profesionale me skuadrën tonë për 5 vitet e ardhshme. Ardi në edicionin e fundit u paraqit në 34 ndeshje për Feronikelin duke arritur të realizoj 6 gola e 1 asistim dhe e veçanta e golave të tij ishin golat e bukur nga largësia apo nga goditjet e dënimit”, thuhet në njoftimin e skuadrës llapjanë.
Tutje në njoftim thuhet se “21 vjeçari theksoi se pa u menduar dy herë zgjodhi ta pranoj Llapin si një klub që u jep hapësirë të rinjëve dhe se puna me trajnerin Batatina do ta shtyj atë ta jap më të mirën nga vetja që t’i tregoj vlerat”.
“Ardi u nda i kënaqur me kushtet e ofruara nga klubi dhe pasi firmosi kontratën, do t’i bashkohet grupit të lojtarëve në përgatitjet për garat evropiane që do t’i zhvillojmë në Strugë”, thuhet në njoftimin e FC Llapit.























