Klinaku reagon ndaj Bicit: Po flet pasaktësi për t’iu përshtatur pushtetit
BKT
Lajme

Klinaku reagon ndaj Bicit: Po flet pasaktësi për t’iu përshtatur pushtetit

Blerim Halimi / RTKlive

Individët mund të devijojnë, por mund edhe të flasin pasaktësi që t`i përshtaten pushtetit. Kështu, ka deklaruar kryetari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, duke reaguar ndaj pohimeve të këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, për çështje të kategorive të dala nga lufta, ish-komandantit të UÇK-së, Aziz Bici.

“Sa i përket asaj që ka deklaruar Aziz Bici se në batalionin e tij ishin 250 ushtarë (e që në atë batalion isha edhe unë) e sipas tij ia paska bërë komisioni numrin 600, e vet ishte komision për vlerësim e verifikim e unë nuk kam qenë, nuk dua të merrem unë tash në publik, sepse për këtë pasaktësi të madhe i reagova edhe në takim që kishim me kryeministrin Kurti, por me këtë do të duhej që të merreshin të tjerët (komandantë e ushtarë të batalionit)”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në Facebook.

Ai tutje ka thënë se nga pozita që e ka dhe duke pasur parasysh që si OVL UÇK kanë kërkuar hetim nga prokuroria nuk dëshiron të merret me këtë çështje, por sipas tij do të ishte mirë të publikohet ajo listë prej atyre 250 vetave, e të shihen se cilët nga ata qindra ushtarët do të mbeten jashtë saj. Por, sipas tij edhe për këtë çështje duhet të merret prokuroria.

“Lojërat politike me këtë çështje, nuk i bëjnë nderë askujt. Edhe kryeministrit ia kemi bërë të qartë se propozimin që do të na japin me shkrim, duhet të jetë në përputhje me rikthimin e pikës 3.1 të nenit 16 A, që kjo qeveri e ky kuvend e ka ndryshuar, dhe për çdo pastrim liste janë organet e drejtësisë, e jo fjalët në media”, ka shtuar Klinaku.


MË SHUME NGA Lajme