Dua Lipa e gëzuar që “Sunny Hill” mbetet në Prishtinë
Foto: Dua Lipa/Instagram
Kulturë

Dua Lipa e gëzuar që “Sunny Hill” mbetet në Prishtinë

Kimete Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar: Ora: 14:42) Këngëtarja shqiptare me famë botërore shprehet e lumtur se “festivali do të vazhdojë të mbetet në shtëpinë e tij”.

 “E lumtur dhe me zemrën plot, jam krenare t’ju them se është vendosur që festivali ynë ‘Sunny Hill’ të vazhdojë në shtëpinë bazë të tij në datat 4,5,6,7 gusht në Prishtinë, Kosovë dhe pastaj do të mbajmë edhe me 26, 27,28 gusht në Tiranë të Shqipërisë”, shkroi Lipa në llogarinë e saj në Twitter.

“Mezi presim t’ju shohim të gjithëve atje! Më shumë emra do të zbulohet së shpejti… Me dashuri Dua”, ka shkruar ylli i muzikës.

Ministria e Kulturës së Kosovës, komuna e Prishtinës  dhe organizatorët, njoftuan sot se “Sunny Hill” do të mbahet në Prishtinë.

“Sunny Hill Festival” për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Megjithatë, “Sunny Hill Festival” mbetet në Prishtinë

Kimete Kasumi/RTKlive

Festivali “Sunny Hill” do të organizohet në Prishtinë. Kështu njoftoi sot Ministria e Kulturës e Kosovës, me një deklaratë të përbashkët, në emër edhe të Qeverisë së Kosovës, komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill Festival”.

Sipas deklaratës së përbashkët të Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe 'Sunny Hill Festival', ky organizim muzikor mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më datat e parapara 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Në deklaratë shkruan se Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe 'Sunny Hill Festival' bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

"Institucionet qëndrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm", theksohet në komunikatë.

Më tej tregohet se të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

"Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali 'Sunny Hill' të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë".

Në deklaratë potencohet se në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

"Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror".

"Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë", shkruan në deklaratë.

Mbajtja e këtij festivali me emra të njohur botërorë të muzikës ishte anuluar të mbahet në Prishtinë, për shkak të mospajtimeve mes organizatorëve dhe Ministris së Administrimit të Pushtetit Lokal, në dhënien në shfrytëzim të vendit të caktuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. 

Për këtë arsye, festivali ishte vendosur të mbahet në Tiranë. 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa