Nga zjarri vajza 11 vjeç humb jetën, babai e vëllai pësojnë lëndime(Video)
BKT
Foto: KP
Lajme

Nga zjarri vajza 11 vjeç humb jetën, babai e vëllai pësojnë lëndime(Video)

Islam Haxhiu/RTK

Si pasojë e një zjarri gjatë mesnatës së diel, një banesë në Gjakovë mori flakë, me ç`rast humbi jetën një fëmijë 11 vjeç, ndërsa babai i saj dhe familjarë të tjerë pësuan lëndime. Akoma nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet, thonë institucionet e sigurisë atje.

Të dielën pas mesnatës në rrugën “Yll Morina”, në lagjen “Blloku i Ri”, një banesë është përfshirë nga zjarri, ku për fat të keq një fëmijë 11 vjeç ka humbur jetën, ndërsa lëndime kanë pësuar një fëmijë tjetër dhe prindi i tyre.

“Kur e kam pa flakën e kam marrë djalin dhe kam dalë, por vajzën nuk kam pasë shansë. Por edhe djali është i dëmtumë, në trup, në krah”, theksoi prindi i viktimës, Bekim Qukani.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se policia ishte përgjigjur  menjëherë vendit të ngjarjes, bashkë me zjarrfikësit dhe prokurorin e shtetit.

“Kontrolla policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë evakuimin e banorëve, ndërsa pas shuarjes së zjarrit, brenda në banesë është gjetur viktima, femër kosovare, e lindur në vitin 2011, është inicuar rast “Hetim i vdekjes”, si dhe “Zjarrvënie”

Banorët e lagjes, që panë ngjarjen e rëndë, thonë se, edhe pse reagimi i policisë dhe Njësisë së Zjarrfikësve ishte shumë i shpejtë, vajza, e cila ashtu ishte me aftësi të kufizuara, mbeti e vdekur.

 “Kah ora një e gjysë tuj ardhë në punë dhe kur jam ardhë këtu afër pune e kam pa që banesa ishte duke u kallë. Brenda 5-6 minutave flaka e kaploi banesën shumë. Një çikë e palëvizshme ka mbetur e vdekur, baba dhe djali kanë shpëtu”, deklaroi Burim Boshnjaku, dëshmitar i rastit.

Dy të lënduarit nga flakët e zjarrit babë e djalë, trajtimin e morën në Emergjencën e spitalit “Isa Grezda”, në Gjakovë, rreth orës 2 të mëngjesit.

 “Fëmija ka qenë rreth moshës 15 vjeçare, ka pasë djegie në dorën e majt dhe shpinës.Fëmija ka marrë trajtimin e nevojshëm, nuk kanë qenë plagë të randa dhe është liruar për në shtëpi. Ndërsa dy të moshuarit i kemi trajtu deri në mëngjes”, tha dr. Skënder Fetahu, mjeku kujdestar.

Sipas Policisë së Kosovës, tash për tash, arsyet e zjarrvënies ende nuk janë bërë të ditura. Ndërsa nga familjarët bëhet e ditur se varrimi i viktimës u bë pasdite.

(E plotësuar) Nga zjarri që kaploi banesën, humb jetën vajza 11 vjeç në Gjakovë

Një 11-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën në të cilën jetonte në Gjakovë.

Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të ditës së sotme.

Policia deklaroi se lajmin e ka pranuar rreth orës 01:40 se në banesën e cila gjendet në rrugën “Yll Morina” ka rënë zjarr.

Lajmin për RTK e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Sipas informacioneve nga tereni me këtë rast janë lënduar edhe dy persona tjerë (prindi dhe vëllai i viktimës).

Pamje të banesës së djegur në Gjakovë, ku ka humbur jetën vajza 11 vjeçare.

Sipas banorëve në lagje zjarrëfikësit kanë dalur në vendin e ngjarjes duke shpëtuar dy persona, por jo edhe fëmijën që dyshohet se ka qenë me aftësi të kufizuara.

Në banesë, pas shuarjes së zjarrit është gjendur trupi i viktimës femër/kosovare lindur në vitin 2011 për të cilën ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e saj.

Njësitet relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me rekomandimin e të cilët është iniciuar rast ‘Hetim i Vdekjes’ dhe ‘Zjarrvenje’.

Sipas Policisë se Kosovës, tash për tash arsyet e zjarrëvënies ende nuk janë bërë të ditura.


MË SHUME NGA Lajme