Osmani: Në vend se të ndiheshin fajtor dhunuesit, ndiheshin në faj viktimat
N. Mekolli /RTKlive.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën mbi raportin hulumtues “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit”, ka thënë se te ne ka qenë vazhdimisht e vështirë të flitet haptazi për ballafaqimin me situata të ngacmimit e abuzimit seksual, gjuhës së dhunës e poshtërimit, sepse ka ekzistuar gjithnjë frika e paragjykimit.
“Në vend se të ndiheshin fajtor dhunuesit, ndiheshin në faj viktimat. Ky realitet vazhdon. Ky është realitet që duhet të ndryshohet. Ky është realitet që dominon në botë. Por, ky është realitet që bashkërisht mund të sfidohet”, njofton zyra për informim e Presidencës.
Presidentja në konferencën mbi raportin hulumtues “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit” të organizuar nga FemArt, ka theksuar se vajzat e gratë tona meritojnë vend të sigurt në punë.
“Ato meritojnë respekt nga të gjithë pa dallim, mirënjohje për punën e kontributin e tyre, vlerësim të mundit të tyre, mundësi të barabarta për avancim, garantim të sigurisë e ambientit të sigurt për punë – aktoret, valltaret, balerinat, kuratoret, regjisoret, dramaturget, koreografet, këngëtarët, pianistet, sopranot, piktoret e artistet tona i meritojnë të gjitha këto. Arti dhe puna e tyre e meriton këtë - arti ka nevojë për këtë”, ka thënë, pos tjerash, Osmani.
Më 14 qershor nisi edicioni i dhjetë i FemArt. Për këtë edicion të radhës, FemArt ka përgatitur program të larmishëm duke bashkëpunuar me artistë vendorë e të huaj.
Sot shënohet dita e shtatë e këtij edicioni dhe ka nisur me konferencën dhe publikimin e raportit “Gjinia dhe Marrëdhëniet e Pushtetit”.























