Lëvizja FOL e mirëpret procesin e përzgjedhjes së drejtorit të RTK-së
RTKLive
Lëvizja FOL e mirëpret përfundimin e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, duke e vlerësuar si proces të rregullt, transparent dhe të hapur për publikun.
Në një postim në rrjetin social Facebook Lëvizja FOL ka shpalosur detajet e monitorimit të procesit.
Lëvizja FOL e mirëpret përfundimin e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, duke e vlerësuar si proces të rregullt, transparent dhe të hapur për publikun.
FOL ka monitoruar tërë procesin, duke filluar nga faza e hapjes së aplikacioneve, procesin e intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga ana e komisionit vlerësues, e deri tek faza e votimit të tyre në mbledhjen e Bordit të RTK-së.
Komisioni vlerësues në këtë proces ka qenë në përbërje të të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, përkatësisht nga: Besnik Boletini, Arta Berisha, Driton Hetemi, Fatime Lumi- Qehaja, Safet Kabashaj, Albulena Mehmeti, Ivan Radulovic, Shukrie Rama dhe Birol Urcan.
Në këtë konkurs kishin aplikuar gjithsej 13 kandidatë, 4 prej të cilëve ishin gra, ndërsa 9 burra. Kriteret për të vazhduar me fazën e intervistave i kishin përmbushur 9 kandidatë (4 gra dhe 5 burra), ndërkaq ishin intervistuar vetëm 8 prej tyre, meqenëse një kandidate ishte tërhequr nga gara.
Intervistat kishin zgjatur nga 40 minuta për secilin kandidat, dhe pas vlerësimit, secili nga anëtarët e bordit kanë arsyetuar vlerësimet e tyre.
Në bazë të poenave të fituara gjatë intervistimit, kandidatët më të poentuar ishin: Shkumbin Ahmetxhekaj (83.1) dhe Arta Bajrami (81., emrat e të cilëve kanë shkuar në mbledhjen e Bordit për votim. Pas votimit nga ana e Bordit të RTK-së, Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës u zgjedh Shkumbin Ahmetxhekaj, me 8 vota për, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër.
FOL konsideron se i tërë procesi ka shkuar në pajtim me Rregulloren e re për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të Lartë të RTK-se, të miratuar në maj të këtij viti, e cila e kishte thjeshtuar procedurën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe paraqet një hap të rëndësishëm në reformimin e RTK-së.
Radio Televizioni i Kosovës është një aset publik në shërbim të shoqërisë, andaj si e tillë duhet të trajtohet, mbështetet dhe fuqizohet në mënyrë të vazhdueshme.
Lëvizja FOL mbetet e përkushtuar të monitoroj edhe në vazhdim veprimtarinë e mediumit publik të Kosovës, si dhe punën e Drejtorit të Përgjithshëm dhe të Bordit të RTK-së, thuhet në postim.
























