Mbledhja e përbashkët e qeverive Kosovë- Shqipëri, heshtin mediat në rajon
Linda Dinosha/ RTKlive
Mediat në rajon thuajse heshtën për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë dje në Prishtinë.
Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, e mbajtur në Prishtinë më 20 qershor, është dhënë shumë shkurt nga mediet e rajonit.
Duke mos i cekur fare marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara mes dy qeverive, mediet në rajon janë ndalur më shumë në disa prej deklaratave të shkëputura të dy liderëve shqiptarë raporton RTKlive.
Agjencia serbe e lajmeve ‘Beta’ ka përmbledhur këtë mbledhje në një tekst të shkurtër me titull “Kurti: Qëllimi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë është anëtarësimi në BE”.
Lajmi thekson bashkëpunimin mes dy vendeve në atë drejtim.
“Kurti në fillim të takimit tha se bashkëpunimi mes dy vendeve në kohë paqeje duhet të ringjallë entuziazmin që ka ekzistuar gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Ai ka theksuar se ky bashkëpunim asnjëherë nuk ka qenë më i gjerë dhe më intensiv në resurset njerëzore dhe natyrore. Edhe pse për një kohë ka pasur ndarje të imponuara politikisht, natyra nuk ka ditur për to kur ka shpërndarë burimet e saj zhvillimore në rajon”, tha përcjellë “Beta” fjalët e kryeministrit Kurti.
“Beta” shkruan se Kurti deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë dëshmi se anëtarësimi në BE mbetet qëllim i përbashkët.
E ketë lajm të kësaj agjencie, e kanë dhënë edhe portali serb “Danas” dhe RTCG e Malit të Zi raporton RTKlive.
Ndërsa disa medie tjera të rajonit, pa shpjeguar mënyrën ironike të deklaratës së Ramës, raportuan për thënien e tij se “e ka vëlla Vuçiqin” e gjithashtu pa përmendur 19 marrëveshjet e nënshkruara.
Në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u mbajt në Prishtinë më 20 qershor, u arritën 19 marrëveshje në fushën e arsimit, doganave, energjetikës, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.
Përndryshe, mediat e tjera nga Kroacia, Serbia, Mali i Zi e Bosnje e Hercegovina nuk kanë raportuar për këtë ngjarje.























