Ahmetxhekaj shpalos sfidat dhe projektet si drejtor i Përgjithshëm i RTK-së
Muharrem Miftari/ RTKlive
Me rastin e zgjedhjes në krye të Radio Televizionit të Kosovës, si drejtor i përgjithshëm,Shkumbin Ahmetxhekaj, foli në emisionin “Lajmet e fundit” në RTK1 dhe RTK3.
Ai tregoi për projektet, sfidat dhe angazhimet që e presin si udhëheqës i mediumit publik.
Ai, duke përmendur borxhet të cilat i trashëgon RTK, mes tjerash, tha se televizionet gjithandej kanë avancuar shumë dhe Radio Televizioni i Kosovës duhet të ndjekë hapat e tillë, që të avancohet.
Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës u shpreh optimist se do të mund të bëhen punë të mëdha. “Nuk duhet të varemi gjithmonë nga ndihmat qeveritare”, tha ai.
Drejtori i Ahmetxhekaj u shpreh se është pozitive të mos ketë ndërhyrje në mediumet publike.
“Duke mos pasur ndërhyrje politike, ky është hap i rëndësishëm për zhvillimin e RTK-së”, deklaroi mes tjerash, drejtori Ahmetxhekaj.
“Televizionet publike kanë peshën që asnjë tjetër televizion nuk e ka, sepse ata duhet të jenë të pavarura ndaj secilit ndikim”.
Drejtori Ahmetxhekaj, tutje, foli për angazhimin e tij dhe ekipit të tij deri më tani, si ushtrues detyre.
“Ajo çfarë kemi diskutuar me kolegët e me bashkëpunëtorët e që kemi punuar ne maksimum me të gjithë ekipin, me synimin që të përmirësojmë pozitën e transmetuesit publik, pra kemi ndërmarrë disa reforma që kemi konsideruar të domosdoshme. Prandaj, me mundësitë që kemi operuar, ne mendojmë se kemi bërë baza të mira”, deklaroi ai.
Ndërkohë, drejtori Ahmetxhekaj foli edhe për shikuesit që, sipas tij, presin program më cilësor.
“Ne presim edhe komentet e tyre për atë që publikojmë e punojmë”, tha ai.
Drejtori Ahmetxhekaj foli edhe për financat, kursimet që janë bërë, e të cilat, sipas tij, do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve të punës.
“Kemi arritur të kemi kursime që do të shfrytëzohen për përmirësimin kushteve të punës”, tha ndër të tjera ai.
Më tej në këtë intervistë, Ahmetxhekaj shpjegoi për borxhet që RTK ka trashëguar. “RTK ka borxhe, por edhe i kanë borxhe, ndaj ne po bëjmë të pamundurën të kemi të qartë një pasqyrë që të marrim e jo te japim, sepse edhe RTK-së i detyrohen e jo vetme që ka borxhe”, tha ai.
Kreu, tashmë i zgjedhur, i RTK-së deklaroi se raporti i Zyrës së Auditorit Kombëtar është korniza të përgjithshme se me çfarë të merret, në mënyrë që vitin 2023 të ketë një program ku do të jetë adresa e të vërtetës.
“Janë shumë departamente që nuk janë funksionale, ka shumë punë, por konsideroj se do t’ia arrijmë”, shtoi drejtori Ahmetxhekaj.
Ai foli edhe për investimet në RTK, që, sipas tij, janë bërë shumë pak.
“Investime janë bërë shumë pak. Të vetme janë ato të JICA-s, me ndihmën e të cilave janë hapur zyra rajonale në Prizren e Mitrovicë”, theksoi ai.
Ndërkohë, foli për rolin e televizionit si medium.
“Televizioni është imazh, duhet bërë diçka në këtë aspekt. Qëllimi në RTK është që të ketë edhe emisione argëtuese, sepse qytetarët kanë nevojë për argëtim”, shtoi ai.
Në fund drejtori Ahmetxhekaj foli edhe për një ankesë ndaj portalit “Newborn”.
“Nuk ka qenë hera e parë që portalet e tilla, thuajse fantome, që kane shkruar shkrime të pabaza, e fatkeqësia është se këto janë publikuar edhe brenda RTK-së, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm. Ne duhet të jemi pranë të vërtetës. Me rëndësi është që të publikojmë lajme të bazuar, te vërteta”, theksoi ai.
“Nuk do te ndalemi me kaq, do të shkojmë më tutje”, përfundoi, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Një ditë më parë, Bordi i RTK-së, zgjodhi Ahmetxhekajn në postin e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.
Anëtarët e Bordit, në mënyrë thuajse unanime, zgjodhën për një mandat trevjeçar që transmetuesin publik ta drejtojë Ahmetxhekaj.
Zgjedhjen e tij në këtë detyrë dhe procesin transparent të ndjekur nga Bordi i RTK-së, e kanë përshëndetur edhe organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe institucione kredibile.
Zgjedhja e Ahmetxhekajt është vlerësuar nga organizata “Fol”, pastaj Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Federata Evropiane e Gazetarëve etj.























