Mustafa: Qeveria duhet t’i rrisë pagat (Video)
Muharrem Mmiftari/RTKlive
Ish-kryeministri Mustafa foli edhe për ekonominë në vend, i cili tha se rritja e buxhetit, siç po e proklamon Qeveria Kurti, nuk është e saktë.
Ai mohoi deklaratat e LVV-së dhe të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se kemi një reformë të jashtëzakonshme, një revolucion ekonomik në Kosovë, duke rritur buxhetin me norma të papara deri më tani në Kosovën e pasluftës, duke e kursyer, duke luftuar krimin dhe korrupsionin, etj.
“Sa i përket rritjes së buxhetit dhe rritjes ekonomike, unë nuk do të isha pajtuar me lëvdatat që japin Kurti qeverisë së vet dhe të tjerët, sepse në asnjë rast rritja ekonomike e vitit 2021 nuk mund të matet me rritjen ekonomike me vitin 2020, në kohën e pandemisë”, deklaroi Mustafa.
Duke analizuar situatën ekonomike në vend, Mustafa sqaroi se “nëse bëhen krahasime me kohën para pandemisë, atëherë duhet bërë me terma absolute, sepse në vitin 2019 ka qenë rritja ekonomike 5.7% më e lartë se në vitin 2020. E po të krahasohet viti 2021 me vitin 2019 rritja ekonomike është shumë ma pak, sesa që proklamon kryeministri Kurti”.
Ndërkaq lidhur me inflacionin në vend, ish-kryeministri Mustafa kritikoi masat që ka ndërmarrë Qeveria Kurti.
Sipas tij “nuk ka rezon as politik e as ekonomik, sepse rritja e buxhetit ndikon në rritjen e pagës, rritja e buxhetit vjen si shkak nga rritja e inflacionit, që është ulja e aftësisë blerëse, fuqia blerëse nga pagat është shumë më e ulët, si pasojë ë luftës edhe në Ukrainë, etj,
“Qeveria duhet t’i rrisë pagat”, deklaroi ish-kryeministri Mustafa.
Ndërsa lidhur me tërheqjen e parave nga Trusti, Mustafa tha se paratë nga Trusti nuk duhet preket por të rriten pagat, sepse nga Trusti tërheqjen mund ta bëjnë ata që janë në marrëdhënie pune,
“Unë mendoj se sistemi pensional në Kosovë, është e atillë që njerëzit i humbin kursimet e tyre dhe të ngelin në lëmoshë”, sqaroi Mustafa.
Kurse për ligjin mbi pagat, ish-kryeministri Mustafa tha se qeveria ka bërë mirë, por që tërhoqi vërejtjen se nga ai ligj mund ta pësojë sektori privat.
“Niveli i pagës minimale Qeveria ka bërë mirë që të ndryshojë niveli i pagës minimale, por sektori privat e ka problem ta përballojë këtë pagë, atëherë sektori privat mund ta zvogëlojë numrin e punëtorëve”, tha, mes tjerash, ish-kryeministri Mustafa në RTK Prime.
(E plotësuar- 21:48) Mustafa:Për liberalizim të vizave nuk kemi festuar, por kemi punuar
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në RTK Prime, mes tjerash, foli edhe për liberalizimin e vizave, ku tha se ne kemi punuar e nuk kemi festuar.
“Ne kemi punuar e nuk kemi festuar, kemi realizuar 93 kritere prej 95 kritereve”, theksoi Mustafa.
Tutje ai sqaroi se për të realizuar kriterin, e mbase, të vetëm ka mbetur kriteri i ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi, që, sipas tij, është kundërshtuar nga këta që janë në qeveri, ndryshe do ta kishim liberalizimin që në vitin 2016.
“Dhe sot shtroj pyetjen pse sot nuk trajtohet vija kufitare me Malin e Zi, që është kundërshtuar nga ta? Pse nuk formohet Komisioni për vijën kufitare, as nga AAK e as nga LVV?”, shtron si çështje sqarimin e ngecjes së arritjes së marrëveshjes me Malin e Zi, në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Ndërkaq ai bëri të ditur se “mund të lëvizet vija kufitare, por nuk mund të humbet territori”.
“Nëse ishin humbur 800 hektarët, që dikur pretendonin këta që sot janë në pushtet, i bie që territori i vendit tonë të ishte më i vogël, gjë që nuk është”, deklaroi ai.
“As ka rritje të territorit të Malit të Zi e as zvogëlim të territorit të Kosovës” tha ish-kryeministri Mustafa.
Pos tjerash, Mustafa tha se “këta frikohen ta bëjnë Komisionin e verifikimit, sepse dalin të rrejshëm para opinionit, sepse kanë krijuar kauza të rrejshme”.
(E plotësuar 21:02) Mustafa: Arritja e marrëveshjes për energjinë, veprim normal
Marrëveshja e sotme e arritur në Bruksel në mes të zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociator nga pala kosovare, Besnik Bislimi dhe të Petar Petkoviqit, kryenegociator nga pala serbe, ka zgjuar reagime të shumta.
Kështu, kjo marrëveshje për ish-kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, që në kohën kur është arritur kjo marrëveshje (2013-2015), në të vërtetë, bazamenti i kësaj marrëveshjeje, konsiderohet si hap normal.
“Tani e kam parë si një veprim normal, sepse si kryeministër kam marrë pjesë për implementimin e marrëveshjes, ne fakt Serbia gjithnjë ka prolonguar arritjen e marrëveshjeve”, tha ai.
“Me rëndësi të mendojnë ata që dikur kanë kundërshtuar këtë marrëveshje”, shtoi Mustafa.
Duke folur për historikun e marrëveshjes, Mustafa tha se “bazamentin e ka të njëjtë, në preambulën e saj, dallimi është se nuk përmenden firma “Elektroseveri” ose “Elektroveriu”, që dikur ishte në marrëveshje më 2013 e 2015, që kjo firmë të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, si dhe pjesa tjetër që nuk ka të bëjë me integrimin në sistemin operativ të rrjetit të energjisë së Kosovës e, po ashtu, edhe në integrimin e sistemit operativ në sistemin energjetik në Evropë, sepse ajo ka ndodhë pa u bë marrëveshja në ndërkohë”.
Lidhur me licencimin e firmës serbe “Elektrosever” nga ZRRE, Mustafa tha se kjo është një procedurë tjetër e regjistrimi i kompanisë është një procedurë tjetër.
“Procedura e dytë ka qenë në marrëveshjen e vitit 2015 dhe ka qenë një afat i cili është dhënë për regjistrimin e firmës në bazë të kërkesës së ‘Elektroekonomisë’ ose ‘Elektroprivreda’ të Serbisë, por ata nuk e kanë bërë kërkesën atëherë, duke iu adresuar në mënyrë kushtetuese institucioneve të Kosovës dhe ne nuk e kemi pranuar kërkesa tjera pa u bërë adresimi i saktë i institucioneve të Kosovës”, sqaroi, mes tjerash, ish-kryeministri Mustafa në RTK Prime.























