Ndërpritet seanca e Kuvendit, s`ka kuorum
BKT
Lajme

Ndërpritet seanca e Kuvendit, s`ka kuorum

Naser Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu vazhdimin e seancës për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, për të vazhduar tutje me pikat në vazhdim.

“Nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës, shihemi nesër në ora 10:00”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca më herët paralajmëroi mundësinë e ndërprerjes së seancës për shkak të mungesës së deputetëve gjatë votimit.

Gjatë vazhdimit të seancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë vetëm Projektligjin për akcizën në produktet e duhanit, ndërsa dështuan të miratoheshin Projektligji për Këshillin Prokurorial, Projektligji për markat tregtare dhe Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Ajo që pritej të ngjall më shumë interes publik, në këtë seancë, ishte vazhdimi i seancës me pikën e saj të tetë, ku do të diskutohej edhe për tërheqjen e mjeteve të Trustit, për çka insistojnë partitë opozitare.

Paraditen e sotme deputetët folën për shumë tema aktuale, por dominoi ajo për marrëveshjen për energjinë, e dakorduar dje në Bruksel, nga pala e Kosovës dhe Serbisë. Kjo pikë kaloi me polemika të shumta pozitë - opozitë.

Vazhdon seanca plenare e Kuvendit

Naser Mekolli /RTKlive

Sot Kuvendi i Kosovës po mban dy seanca, e që të dyja ishin vazhdim i atyre të mëparshmëve të mbetura gjysmë. Pas një ndërprerje në mesditë tani deputetët nisen vazhdimin e seancës.

Seanca vazhdoi punën me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit.

Seanca e dytë, e sotme, është vazhdim i asaj të mëparshme të mbetur gjysmë. Paraditen e sotme deputetët folën për shumë tema aktuale, por dominoi ajo për marrëveshjen për energjinë, e dakorduar dje në Bruksel, nga pala e Kosovës dhe Serbisë. Kjo pikë kaloi me polemika të shumta pozitë - opozitë.

Abdixhiku-Kurtit: Ke kundërthënie politike rreth marrëveshjes për energjinë

Blerim Halimi /RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dy sqarime bazike sa i përket marrëveshjes së arritur për energjinë me Serbinë sa i përket furnizimit dhe faturimit të qytetarëve në veri të vendit. Abdixhiku ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të deklarohet nëse kjo marrëveshje është e mirë apo jo.

“Nëse është e mirë që është replikë e një marrëveshje paraprake, atëherë më të drejtë mund t’i shtrosh argumentet se po, po kthehet legjitimiteti në veri dhe po mblidhen të hyrat në veri pas 20 vitesh sepse marrëveshja është e mirë. Por, nëse marrëveshja nuk është e mirë duhet të flasim për legalizimin e Serbisë, po të citoj, në Kosovë dhe në veri. Pra duhesh të qartësosh një element bazik cila është natyra e marrëveshjes se dyjat s’mund të jenë. Është kundërthënie politike, e s’mund të sillesh as mish e as peshk. Ose e mirë ose e ligë dhe ose është trashigimi ose meritë e jotja, dyjat s’janë. Dhe nëse është dëm e sështë vazhdimësi pse na e solle ‘Elektro-severin’ në Kosovë, të cilin e kundërshtuar para katër viteve në këtë foltore”, iu ka drejtuar Abdixhiku kryeministrit Kurti.

Ai tutje ka thënë se për LDK-në marrëveshja është e njëjtë, siç ka qenë e mirë atëherë është edhe tani, prandaj ka thënë se e mbështesin dhe e kuptojnë se po shtrihet sovraniteti në veri. Por, dykuptimësi një marrëveshje të njëjtë të nënshkruar në vitin 2012 e 2015 ka thënë se nuk mund t’i jepet.

Në replikën e tij ndaj Abdixhikut, Kurto ka thënë se si çdo kompani tjetër furnizimi për energji tash edhe në veri do të kemi një të tillë e cila do të operon nën kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës. Ai ka thënë se edhe licencimi i këtij operatori është i kushtëzuar, derisa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 ka thënë se nuk janë të mira, teksa gjendjen në terren e ka vlerësuar shumë më të keqe se sa marrëveshjet e këqija dhe prandaj ka vlerësuar se Qeveria ka bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik.

“Unë nuk kam ndryshuar as koncept, as qëllime e as qëndrime. Mirëpo, kam metoda për konceptin dhe qëllimin e njëjtë që e bëjnë më të mirën e mundshme në kohën që është e ngopur me trashigëmi të mbrapshta. Po e ritheksoj e bëjë minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit”, ka thënë Kurti.

Kurti: Marrëveshjet i gjeta aty kur u bëra Kryeministër

Naser Mekolli /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës foli për marrëveshjen për energjinë që u dakordua dje në Bruksel, nga pala e Kosovës dhe Serbisë.

“Pas më shumë se 20 vite buxhetit të Republikës së Kosovës po i kursehen 10 milionë euro, të paguar për rrymën në veriun e vendit, katër komunat në veri do të kalojnë në rend të rregullt me furnizimin me rryme elektrike, me faturim dhe me inkasim të pagesave për energjinë e shpenzuar elektrike”.   

I pari i qeverisë foli edhe për atë se a janë të mira marrëveshjet e dakorduar dhe shtoi se jo as e vitit 2013 as 2015 e as disa marrëveshje të tjera nuk janë të mira.

“Ato i gjeta aty kur u bëna kryeministër i Republikës së Kosovës, i gjeta 38 komuna, po të pyetesha unë nuk do të ishin. Kur u bëna kryeministër i Republikës së Kosovës e gjeta KEDS-n e KESKO-n, po të isha unë më herët kryeministër i Kosovës nuk do të kishte as KEDS-s e KESKO, por monopoli publik është bërë monopol privat dhe duhet të bashkëpunoj me KEDS-s e KESKO-n. Ka një mori gjërash që si bëjë më dëshirë, por nga nevoja dhe përgjegjësia.

Kurti tha se përveç që nuk janë të mira ato marrëveshje, gjendja në teren është edhe më e keqe, por që ai kërkon gjithçka të funksionoi brena ligjit,

“Nuk them se dje ka përfundua gjithçka me Udhërrëfyesin për energjinë, por do ta, bëjmë atë që mundemi... E bëj minimumin e pranimit të realitetin, për maksimumin e ndryshimit të realitetit. Nuk kam mundësi të tjera”, tha Kurti.

Zemaj kërkon veprime konkrete nga Qeveria për zbutjen e krizës në vend

Blerim Halimi /RTKlive

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka shprehur shqetësimet e subjektit të tij lidhur me rritjen enorme të çmimeve në vend dhe refuzimin e qeverisë për të ndërmarrë masa për zbutjen e kësaj krize.

“Vendi ynë kja një vit që ka hyrë në krizë të inflacionit apo rritjes enorme të çmimeve. Kjo rritje është më e lartë tek produktet esenciale si ushqimi, derivatet e naftës dhe energjia elektrike, gjë e cila ka krijuar vështirësi financiare tek secila familje. Duhet ta kemi parasysh se pagat në sektorin publik nuk kanë lëvizur dhe nuk ka asnjë evidencë që një gjë të tillë e ka bërë edhe sektori privat. Rrjedhimisht jeta për shumicën e qytetarëve të vendit tonë është bërë e papërballueshme. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës nëse e krahasojmë muajin maj të vitit 2021 me muajin maj të vitit 2022 çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur për 12,5 përqind”, ka theksuar Zemaj.

Ai tutje ka thënë se sa herë që qeveria krenohet që i ka rritur të hyrat, ajo krenohet që buxhetin po e mbushë me paratë e qytetarëve, sepse këtë nuk po e bën as me rritjen e investimeve publike e as më tërheqjen e investitorëve të huaj dhe me asgjë tjetër. “Qeveria po merr më shumë tatime nga ju, duke soditur rritjen e çmimeve. Qeveria e 51 përqindshit po  arrin të marrë më shumë tatime nga qytetarët e goditur nga inflacioni krahasuar me secilën qeveri të kaluar”, ka shtuar Zemaj.   

Tutje deputeti i LDK-së ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe ministri i financave, Hekuran Murati ka kërkuar shqyrtimin e masave dhe veprime konkrete në uljen e krizës. Ai ka kërkuar nga Qeveria reduktimin e akcisës dhe normës së TVSH-së për derivatet për 3 muaj me mundësi vazhdimi për 3 muaj shtesë; Zgjerimin e listës së produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSH-së për 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj tjerë varësisht prej zhvillimeve në tregun ndërkombëtar; Indeksimin e pagave, të përfitimeve pensionale dhe sociale për normë inflacioni të çmimeve të produkteve ushqimore bazike si dhe rritjen e subvencioneve në bujqësi.

Besnik Tahiri fton partinë në pushtet për bashkëpunim

Naser Mekolli / RTKlive

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës, foli për marrëveshjen për energjinë, në mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që u dakorduan dje, në Bruksel si dhe ftoi partinë në pushtet për bashkëpunim për votimin e disa pikave.

Tahiri kërkoi bashkimin e partisë në pushtet për miratimin e disa pikave, si ajo për tërheqjen e mjeteve nga trusti, e ligjit të pagave e tj.

“Dje u miratua një marrëveshje për energjinë që e ka bazën në vitin 2013 dhe 15 dhe nëse Udhërrëfyesi i kësaj marrëveshje zbatohet, them se kjo është e dobishme. I kemi dhënë mbështetje që kjo marrëveshje përmirëson situatën që jemi sot. Ne para një ore prezantuam projekt rezolutën për sigurinë në vend që zotëri kryeministër nuk e ke pa. Si është e mundur që grupi yt parlamentar nuk e mbështet këtë rezolutë. Kërkesa jonë është që të ndryshoni qëndrime në 5 pika që prekin qytetarin”, tha ai.

Kusari-Lila: 19 marrëveshjet vendosën gurët e mëdhenj të përbashkimit tonë

Blerim Halimi /RTKlive

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në deklarimet jashtë rendit të ditës së seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, e ka vlerësuar si shumë të dobishme mbledhjen e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur para dy ditësh në Prishtinë.

Ajo ka thënë se mbledhja e tetë e dy qeverive u shënua me 19 marrëveshje të reja, rëndësia dhe pesha e të cilave sipas saj nuk mbetet vetëm në letra, por ka ndikimin i cili i kapërcen kufinjtë e dy shteteve dhe zgjerohet në vlerën rajonale të zhvillimit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

“Sllogani i fundit ‘Të përbashkuar’ tregon jo vetëm realitetin e sotëm të popullit, i cili edhe pse i ndarë në kufi në mes, po përbashkohet, por edhe për bashkimin e ëndrrës së kahmotshme me  realitetin e sotëm. Diçka për të cilin sakrifikohej dikur sot realizohet në projekte konkrete ndërmjet dy qeverive. Duke mos dashur të minimizojë ndikimin e mbledhjeve të mëparshme, duhet potencuar se nënshkrimi i 19 marrëveshjeve në mbledhjen e fundit vendosi gurët e mëdhenj në rrugën e përbashkët të përbashkimit tonë“, ka thënë ndër të tjera Kusari-Lila.

Shala: E pyes kryeministrin a është e dëmshme apo e dobishme marrëveshja

Naser Mekolli /RTKlive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala (PDK). në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës foli për marrëveshjen për energjinë, në mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që u dakorduan dje, në Bruksel dhe kërkoi sqarime për dëmet apo dobitë e kësaj marrëveshje.

“Pas miratimit të marrëveshjes energjetike e pyes Kryeministrin, a është kjo marrëveshje e re apo marrëveshje e vjetër për të cilin ti ke sha partitë tjera? Aa është e dëmshëm apo i dobishëm marrëveshja për energjinë”, tha Shala.

Dështon zgjedhja e anëtares për Komisionin e Pavarut të Mediave

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta zgjedhë anëtaren për Komisionin e Pavarur të Mediave. Asnjëra prej kandidateve të propozuara për këtë pozitë nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme nga deputetët. Në votimin e fshehtë Teuta Hoxha Morina ka marrë 29 vota, derisa Violeta Hyseni-Kelmendi ka marrë 20 vota. Për të qenë i suksesshëm ky votim njëra prej kandidateve është dashur të merrë 46 vota. Si rrjedhojë e këtij rezultati, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka theksuar se konkursi për këtë pozitë do të përsëritet.


​Nuk kalon rezoluta e AAK-së për situatën e sigurisë në Kosovë

Naser Mekolli / RTKLive
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për rezolutën për sigurinë të cilën e ka propozuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kuvendi i Kosovës nuk miratoi rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas debatit parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Rezoluta mori mbështetjen e vetëm 25 deputetëve të partive opozitare. Për rezolutën për siguri kanë votuar vetëm opozita dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kuvendi po vazhdon punimet me pikat e tjera në rend të ditës.


Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Naser Mekolli / RTKlive

Nis seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, ku janë të planifikuare 5 pika të rendit të dytës. Por ajo që ngjall më shumë interes publik është tek seanca e dytë, prej orës 11, me pikën e tetë ku diskutohet për tërheqjen e mjeteve të Trustit. Të dyja seancat janë vazhdim i atyre të mëparshmëve të mbetura gjysmë.

Si pikë e rendit të ditës është edhe Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, si edhe Votimi i Mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.

Shqyrtimi dhe hedhja në votim e Projektligjit që lejon tërheqjen e mjeteve 10 deri në 30 për qind nga Trusti ishte paraparë të ndodhte të enjten e 16 qershorit, por dështoi për shkak të protestës së veteranëve.

Në seancë janë të pranishëm 65 deputetë. 

Sot Kuvendi i Kosovës me dy seanca

Jeton Musliu / RTKlive

Duke filluar nga ora 11:00, sot Kuvendi i Kosovës mban dy seanca, e që të dyja janë vazhdim i atyre të mëparshmëve të mbetura gjysmë.

Në këtë seancë, janë parashikuar, sipas vendimit të kryesisë së Kuvendit, të shqyrtohen dhe diskutohen shumë pika të rendit të ditës, të mbetura në gjysmë nga seancat e kaluara.

Kështu, në këtë seancë do të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16  mars dhe 14 prill 2022:

Disa prej tyre janë votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.

 Pastaj, pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022 që ka të bëjë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

 Gjithashtu, pikë tjetër është edhe ajo e mbetur në gjysmë nga seancat e kaluara, për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb.

 Në seancën e dytë, janë 20 pika të rendit të ditës, por më me interes nga publiku pritet ajo e teta pasi bën fjalë për “shqyrtimin e  parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”.

Bëhet fjalë për mundësinë që qytetarët të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti i Kursimeve Pensionale, propozim ky i PDK-së në opozitë dhe e që kundërshtohet nga LVV-ja në pozitë.

 

 


MË SHUME NGA Lajme